Poloni-Portugali, vëmendja shkon te Lewandowski

30/06/2016 00:00

Polonia do të luajë sot në mbrëmje ndaj Portugalisë ku të gjithë i kanë sytë nga Robert Lewandowski.

Sulmuesi i Bajernit të Mynihut ende nuk ka shënuar gol, por ai ka qenë futbollisti ndaj të cilit janë shkaktuar më shumë faulle në Euro 2016, me 16 të tilla. Në një konferencë për shtyp, trajneri i Polonisë, Adam Navalka u kërkoi arbitrave një mbrojtje më të mirë për Lewandowskin.

“Lewandowski është një prej sulmuesve më të mirë në botë dhe është markuar ashpër në këtë turne”, tha Navalka. “Ndonjëherë tek ai shkojnë 2 ose 3 futbollistë për ta ndalur. Arbitrat duhet të tregojnë kujdes në disa ndërhyrje që janë vërtet të ashpra të cilat bëhen për të mos lejuar në asnjë mënyrë një futbollist të bëjë lojën e tij”.

Për të ndalur Portugalinë janë të shumtë ata që mendojnë se Polonia do të mendojë vetëm për të neutralizuar Ronaldon, por Navalka e hodhi poshtë këtë teori.

Në fakt Polonisë do t’i duhet të shtojë forcën sulmuese nëse dëshiron të jetë ende pjesë e Europianin, pasi në 4 ndeshjet e para kjo skuadër ka shënuar vetëm 3 gola.

Top Channel