Ktheu të bijën në lypëse, 20 muaj burg babait “dembel”

30/06/2016 00:00

Tentativa për të siguruar të ardhura nga vajza e mitur shurdh-memece i kanë kushtuar burgun të atit të vajzës, Urim Totës, i cili u dënua nga Gjykata e Tiranës me 2 vjet e 6 muaj burgim për akuzën e keqtrajtimit të të miturit.

Nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes rezultoi se Urim Tota ka nxjerrë në rrugë për të lypur vajzën e tij 11 vjeçe, e cila nuk mund as të fliste dhe as të dëgjonte.

Në dëshminë e tij, Tota është shprehur se ishte detyruar ta nxirrte vajzën në rrugë për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike dhe pamundësisë për të siguruar bukën për familjen e tij.

Por ndërsa e mitura qëndronte për orë të tëra në rrugë në pritje të ndonjë lëmoshe nga kalimtarët, i pandehuri Tota nuk bënte vetë asnjë përpjekje për të siguruar punë, por thjesht priste muzgun për ta dërguar vajzën në shtëpi dhe për t’i numëruar lekët që kishte mbledhur.

Në këto kushte, gjykata e shpalli fajtor Urim Totën për akuzën e keqtrajtimit të të miturit, duke e dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar për Totën reduktohet në 1 vit e 8 muaj burgim.

Ky vendim është vetëm një nga rastet e shumta të përdorimit të minorenëve për lypje në rrugë, ku çdo ditë shumëkush shikon me dhjetëra fëmijë që lihen të lypin, të lajnë xhamat e makinave në kryqëzime dhe akoma më keq kur u ekspozojnë të metat e fëmijëve për të siguruar ndonjë qindarkë.

Top Channel