OKB, konferencë për paqen mes izraelitëve dhe palestinezëve

30/06/2016 00:00

Kombet e Bashkuara çelën në Gjenevë të Zvicrës një konferencë ndërkombëtare të fokusuar tek procesi i paqes mes palestinezëve dhe izraelitëve. Eventi 2-ditor ul bashkë në një tryezë negociatorë e akademikë për të parën herë që prej shembjes së përpjekjeve amerikane për një zgjidhje të konfliktit mes dy shteteve në vitin 2014.

Negociatori palestinez Nabil Shaath tha përpara delegatëve se njerëzit e tij mbeten të angazhuar për gjetjen e një rrugëdaljeje nga ky ngërç. Nuk kemi hequr dorë nga procesi i paqes, tha ai, si të heqim kur ka gjashtë milionë palestinezë që presin një zgjidhje në Izrael, Gaza dhe Bregun Perëndimor. Sipas përfaqësuesve palestinezë, shtrirja e vazhdueshme e kolonive izraelite po e tkurr perspektivën e krijimit të shtetit që ata kërkojnë në Bregun Perëndimor e Rripin e Gazës me kryeqytet pjesën arabe të Jeruzalemit lindor.

Izraeli nga ana e tij pretendon nga pala tjetër masa më të rrepta sigurie e ndërhyrje të ashpër ndaj militantëve që kanë sulmuar civilë izraelitë. Pikërisht, në ditën e çeljes së konferencës, një palestinez qëlloi për vdekje një vajzë izraelite 13-vjeçare brenda shtëpisë së saj në një koloni të Bregut Perëndimor. Agresori më pas u vra nga policia.

Top Channel