Stambolli, ende në panik. Shtohen viktimat

30/06/2016 00:00

Frika, pasiguria, por edhe sfida ndaj atyre që shkatërrojnë jetë janë ndjenjat që mbizoterojnë pas sulmit të përgjakshëm në aeroportin “Ataturk” të Stambollit.

Vdekja në spital e punonjësit të një kafeneje aty e çoi në 42 bilancin e jetëve të humbura nga të shtënat e shpërthimet në nyjen e tretë më të rëndësishme të transportit ajror në Europë. 41 prej 239 të plagosurve janë në reanimacion.

Xhamat e thyer e shenjat nëpër mure ishin të dukshme edhe sot, megjithëse puna për riparimin e dëmeve nisi që të mërkurën.

Njerëzit druhen, por kjo nuk i ka penguar të rikthehen sërish në atë që përpara dy ditësh u bë skenë e një masakre, vepër sipas gjasave e grupit të egër xhihadist të Shtetit Islamik.

Një udhëtar turk thote se sulmi, sipas mendimit të tij, ishte pasojë e paqëndrueshmërisë në mbarë rajonin.

“Ka trazira në mbarë vendin, e këto përkthehen në pasiguri në trena, autobuzë, tragete. Fatkeqësisht, në këtë pikë është mbërritur për shkak të instabilitetit në vendet që rrethojnë Turqinë”.

Turqia është pjesë e koalicionit ushtarak anti-ISIS të drejtuar nga Amerika e strehon rreth 3 milionë refugjatë sirianë, të larguar nga vendi i tyre për shkak të konfliktit rrënues 5-vjeçar.

Pohimeve të kryeministri Binali Yildirim se të dhënat e para flasin që të gjitha për një sulm të Shtetit Islamik, i bëri jehonë edhe shefi i CIA-s, John Brennan sipas të cilit mësymja në aeroport ka të gjithë shenjat dalluese të grupit ekstremist.

Askush nuk e ka marrë deri tani përgjegjësinë e ngjarjes, por kjo nuk është për t’u çuditur pasi ISIS-i rrallëherë i ka deklaruar goditjet e tij në shtetin turk.

Armiku tjetër i Ankarasë, separatistët kurdë, autorë të jo pak sulmeve të rënda në rrjedhën e viteve, përgjithësisht në shënjestër vë policët dhe ushtarët turq.

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden e cilësoi si të admirueshme vendosmërinë e popullit turk, e me komentet se “botës së civilizuar do t’i duhet të jetojë me këta xhihadistë të pafytyrë derisa kalifati i tyre të zhduket nga faqja e dheut”, firmosi librin e ngushëllimeve në Ambasadën turke në Uashington D.C.

Top Channel