Hazard frikëson Belgjikën, mund të mungojë ndaj Uellsit

30/06/2016 00:00

Mbrëmjen e së shtunës, Belgjika do të ndeshet ndaj Uellsit të Gareth Bale, por ajo që po e shqetëson më shumë trajnerin belg Wilmots në prag të kësaj sfide është padyshim gjendja jo e mirë e kapitenit Hazard.

Për shkak të një kontraktimi muskulor të pësuar në ndeshjen me Hungarinë, Hazard është stërvitur për tre ditë me radhë i diferencuar nga grupi tjetër dhe ende nuk është e qartë nëse ai do të jetë në fushën e lojës në ndeshjen ndaj Uellsit.

“Shpresoj që Eden do të jetë në gjendje të luajë, pavarësisht se ai ndjen ende dhimbje dhe është nën kujdesin e mjekëve. Do të përpiqemi ta rikuperojmë 100 për qind, por nuk mund të jap një afat të saktë apo të them me garanci se do të jetë mirë. Stafi po punon që Hazard të luajë”, tha trajneri.

Belgjika niset e avantazhuar në duelin me Uellsin, por në kualifikuese ata barazuan pa gola në shtëpi, ndërsa në sfidën e luajtur në Kardif vendosi goli i Gareth Bale. Sulmuesi i Realit të Madridit është rreziku kryesor për belgët.

“I njohim kundërshtarët, të cilët janë rritur në mënyrë të dukshme, në kualifikuese na mposhtën prej gabimeve individuale, por edhe krijuam mjaft raste për shënim. Uellsi ka dy kampionë si Ramsey dhe Bale. Ky i fundit është i lirë për të shfrytëzuar hapësirat, por nuk mendoj ti vendos një mbrojtës për ta mbuluar në çdo cep të fushës. Duhet ta ndalojmë falë kolektivit”.

Për sfidën çerekfinale, te Belgjika mungon mbrojtësi Vermaelen i skualifikuar, e përveç dyshimeve për Hazard dilema ka edhe për aktivizimin e Mertens, që mund t’i lërë vendin e titullarit Carrasco.

Top Channel