Haxhinasto takon Merkel: Samiti i Parisit, angazhim i BE për Ballkanin

30/06/2016 00:00

Gjatë vizitës se tij në Berlin, ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto mori pjesë në takimin e “Shoqatës së Sipërmarrësve Gjermanë”, ku ishin të pranishëm përfaqësues nga 3.000 kompanitë më të mëdha gjermane.

Në takim u diskutua për sfidat e ardhshme të industrive kryesore gjermane në tregun europian dhe atë botëror, veçanërisht në drejtim të rritjes së konkurrueshmërisë dhe produktivitetit.

E ftuar e nderit në takim ishte kancelarja Angela Merkel, e cila shpalosi vizionin për sfidat e Gjermanisë dhe ekonomisë së saj.

Gjatë punimeve të këtij forumi, ministri Haxhinasto pati një takim të shkurtër me kancelaren Merkel, i fokusuar në procesin e Berlinit dhe impaktin e tij për Shqipërinë. Kancelarja Merkel theksoi se Samiti i 4 korrikut në Paris organizohet pikërisht për të rishprehur angazhimin konkret të BE-së për vendet e rajonit të Ballkanit.

Një ngjarje e tillë si Samiti i Parisit, ku pritet të deklarohet zyrtarisht një grant evropian për ndërtimin e linjës hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës, është shumë e rëndësishme, veçanërisht në kontekstin e zhvillimeve brenda BE pas referendumit britanik për daljen prej tij.

Top Channel