Sulmi në Turqi, vendi në zi, kërkohen përgjegjësit

30/06/2016 00:00

Ndërsa Turqia mban zi për 42 viktimat e masakrës në aeroportin e Stambollit, hetuesit po përpiqen të zbulojnë se kush është pas sulmit ndaj një prej aeroporteve më të frekuentuara të Evropës.

Askush nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmi dhe autoritetet turke nuk kanë dhënë detaje për çfarë dinë mbi kamikazët. Tre terroristë sulmuan me armë aeroportin të martën në mbrëmje dhe më pas hodhën veten në erë duke shkaktuar edhe mbi 240 të plagosur.

Sulmi në Turqi i ngjan atij të marsit në aeroportin e Brukselit dhe kjo ka ngritur dyshime që përgjegjësia të jetë e Shtetit Islamik. Zyrtarë turq kanë fajësuar këtë grup terrorist që në orët e para pas sulmit, por realisht nuk ka prova të forta për këtë.

Ministri turk i brendshëm Efkan Ala tha se të dhënat paraprake bëjnë fajtor ISIS, por asgjë nuk dihet me siguri.

Shteti Islamik ka sulmuar edhe më parë në Turqi, por rrallë ka marrë përsipër përgjegjësinë. Agresorët e aeroportit nuk janë identifikuar ende, por mediat turke, bazuar në burime brenda policisë, thonë se ata janë të huaj.

Turqia ka kaluar pjesën më të madhe të këtij viti duke u përballur me sulmet terroriste të ISIS dhe rebelëve kurdë. Masakra e të martës ishte sulmi i tetë kamikaz brenda vitit në Turqi. Veç tensionimit të situatë dhe rritjes së frikës mes popullsisë, këto sulme kanë dëmtuar rëndë industrinë e turizmit në Turqi, një prej sektorëve më fitimprurës të vendit.

Top Channel