Zbulohet gomonia me 170 kg hashash në brigjet e Brindizit

30/06/2016 00:00

Një gomone me 170 kilogramë hashash është kapur rreth 20 milje nga brigjet e Brindizit. Mjeti lundrues është diktuar nga një helikopter gjerman i angazhuar në operacionet e Bashkimit Europian, gjatë një misioni patrullimi në Adriatik.

Nga helikopteri është zbuluar se në mjetin lundrues kishte pako të mbështjella. Ngjashmëria me ambalazhimin e drogës ka bërë që të njoftohet policia italiane dhe ajo nisi ndjekjen, por skafistët hodhën drogën në det dhe ikën drejt brigjeve shqiptare.

Njoftohet se janë lajmëruar autoritetet shqiptare dhe gomonia është lokalizuar, ndërsa policia italiane nisi hetimet se kush ishin pritësit e drogës në brigjet italiane.

Sipas mediave italiane, operacioni ka përfunduar në Shqipëri me arrestimin e dy skafistëve. Këta të fundit, dy shtetas shqiptarë, kanë menduar të përfitojnë nga deti jo fort i qetë i këtyre ditëve për të transportuar drogën me gomonen e tyre të pashqetësuar nga kontrollet e rojeve bregdetare.

Ndërhyrja e grupit aero-detar të Tarantos ka përfunduar në ujërat territoriale të Shqipërisë me bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare, të cilat ishin lajmëruar ndërkohë nga homologët italianë.

Dy të ndaluarit që drejtonin gomonen, thuajse 6 metra të gjatë, janë identifikuar si 28-vjeçari Ermal Hameti dhe 42-vjeçari Elidon Beluli, që të dy nga Vlora.

Top Channel