BSH dhe MF, ligj të ri për sigurinë e bankave

29/06/2016 00:00

Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave kanë përgatitur një projektligj të ri, i cili saktëson procedurat sesi autoritetet ndërhyjnë për të ndihmuar bankat private në vështirësi financiare.

Drafti është kërkesë e Bashkimit Europian, përkatësisht direktivës së re “për rimëkëmbjen dhe zgjidhjen e bankave”, e cila është e detyrueshme për të gjitha vendet anëtare dhe ato në proces integrimi.

Në raportin vjetor të mbikëqyrjes, Banka e Shqipërisë deklaron se me miratimin e këtij ligji, ajo bëhet ndër bankat e para qëndrore në rajon që ka në dispozicion një kuadër të plotë ligjor për t’u përballur me çdo situatë të paparashikueshme.

Sipas Bankës së Shqipërisë, drafti i ri i jep asaj një sërë kompetencash dhe instrumentash në drejtim të planifikimit të rimëkëmbjes së bankave private, që mund të ndodhen në vështirësi financiare.

Por kështu, ai krijon mundësinë që Banka e Shqipërisë të ndërhyjë që në fazat e para kur bankat kanë probleme, duke bërë të mundur parandalimin e krizave dhe zgjidhjen e tyre me sa më pak kosto për ekonominë dhe qytetarët.

Kriza financiare që përfshiu botën në vitin 2008 ka rritur rreziqet në sektorin bankar thuajse në të gjitha ekonomitë e avancuara dhe ato në zhvillim. Për këtë arsye, bankat qëndrore kudo në botë kanë forcuar rregullat e mbikëqyrjes, por edhe masat parandaluese, për të mos lejuar kriza të reja.

Top Channel