Rama vazhdon vizitën në Ankara, dënon sulmet

29/06/2016 00:00

Sulmet terroriste në Stamboll nuk e kanë ndryshuar axhendën e kryeministrit Edi Rama në Turqi. Mëngjesin e së mërkurës, ai udhëtoi nga aeroporti i goditur i Stambollit drejt Ankarasë dhe nisi vizitën zyrtare në kryeqytetin turk me homazhet në mauzoleumin e Mustafa Kemal Ataturkut.

Axhenda e kryeministrit Rama në Ankara përfshine takime me udhëheqësit kryesorë të vendit. Kryeministri Rama i shprehu presidentit turk ngushëllimet për viktimat e aktit terrorist në Stamboll, duke theksuar përkushtimin e Shqipërisë në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Kreu i qeverisë shqiptare ndodhet në Ankara me ftesë të homologut të tij turk, Binali Yildirim, i cili është në këtë detyrë që prej një muaji.

“Jam i bindur njësoj si kryeministri Yildirim, që ata që e zhytën sot në zi Turqinë, në një ditë të muajit të shenjtë, kurrën e kurrës nuk do ta pengojnë as këtë vend të bekuar dhe as fuqinë e ëndrrave dhe të shpresave të të gjithëve ne, besimtarë ose jo besimtarë, të bashkuar në sofrën e njerëzidashjes. E në këtë sofër të njerëzidashjes, Shqipëria dhe Turqia janë bashkë prej kohësh”, deklaroi Rama.

“Dua të bëj me dije qytetarët tanë për sigurinë në aeroporte dhe jam i detyruar t’u them se ato janë të sigurta”, deklaroi Yildirim.

Gjatë takimit të dy delegacioneve u fol për sfidat e përbashkëta në fushën e sigurisë dhe ekonomisë.

Top Channel