Falsifikim pronash edhe në Shkodër, arrest me burg për 7 persona

29/06/2016 00:00

Me kërkesë të Prokurorisë së Shkodrës, gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-drejtuesin dhe dy zyrtarë të Hipotekës, një notere dhe tre shtetas të tjerë, të gjithë të dyshuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumente pronësorë të rreth 15 mijë metra katrorë tokë në zonën e Velipojës.

Prona u sekuestrua rreth 2 javë më parë me dyshimin se ishte fituar në mënyrë të paligjshme.

Deri në këtë fazë të hetimeve, Prokuroria e Shkodrës thotë se shtetasit Ilir Nikleka, ish-kryeregjistrues në Shkodër, Besar Kali, jurist pranë ZVRPP Shkodër, Spartak Haxhiaj, hartograf dhe Valbona Hajdari, notere kanë shpërdoruar detyrën duke tjetërsuar 15 mijë metra/katrorë tokë në Velipojë.

Ndërkohë, për falsifikim dokumentash janë ndaluar Rrok Lushi, përfitues i pronës në fjalë, Adem Mlloja dhe Ylber Mlloja, të akuzuar nga prokuroria si autorë të falsifikimit të dokumentit pronësor.
 
Vendimet e gjykatës janë ekzekutuar gjatë ditës së mërkurë nga ana e forcave të policisë së Shkodrës. Vetëm i dyshuari Ilir Nikleka nuk është bërë i mundur të arrestohet dhe është shpallur në kërkim.

Top Channel