Juncker: Fajin për Brexit e ka kryeministri Cameron

29/06/2016 00:00

Nuk duroi shumë dhe presidenti i Komisionit Europian Jean Claude Juncker deklaroi se faji i realizimit të skenarit “Brexit” është i gjithi i kryeministrit aktual britanik David Cameron.

Në një koment për gazetarët në fund të ditës së dytë të samitit në Bruksel, hera e parë në 40 vjet kur Britania nuk ishte pjesë e tij, Juncker tha se nuk pati aspak ndikim fushata e muajve të fundit e shefit të qeverisë së Londrës për të qëndruar në Union, por  puna e bërë në të gjitha vitet e qeverisjes së tij.

“Nëse ti u thua njerëzve se diçka nuk shkon me Unionin, nuk mund të surprizohesh në fund me votimin”, deklaroi Juncker.

Presidenti i KE iu referua kështu kundërshtive të forta që ka patur kohët e fundit me kryeministrin Cameron për çështjen e emigracionit, duke nënkuptuar se kështu në Britani ka zënë vend fenomeni i ksenofobisë.

“Cameron e ka orientuar referendumin se kishte të bënte vetëm me çështjen e emigracionit. E kuptoj që tani ai ka nevojë për kohë që të meditojë, por  ajo që nuk kuptoj është se ku qëndron plani i atyre që donin të largoheshin. Unë mendoj se kur do të ikësh, atëherë ke edhe një plan”, tha Juncker.

Ndërsa kancelarja gjermane Angela Merkel tha se referendumi është një realitet i pakthyeshëm. Ndërsa presidenti amerikan Barack Obama tha se vota pro Brexit dhe vota për Trump kanë një gjë të përbashkët: fenomenin e ksenofobisë.

Në të njëjtën kohë me shumë gjasë ai mund të negociojë një marrëveshje bilaterale tregtie me Britaninë dhe një pakt tregtar shumëpalësh me Bashkimin Europian.

Top Channel