Efekti “Brexit” mbi reformën, Gjermania: Harroni negociatat, do t’ju heqim edhe statusin

29/06/2016 00:00

Gjermania duket se është lodhur me politikën shqiptare dhe debatet e saj mbi reformën në drejtësi, e për këtë arsye Kancelarja Angela Merkel, nëpërmjet kryetarit të Komisionit të Çështjeve Europiane në Bundestag, Gunther Krichbaum, ka artikuluar dhe “kërcënimin” më të rëndë për Shqipërinë.

“Mendoj që të gjitha palët e përfshira të jenë të ndërgjegjshme për përgjegjësinë që kanë në këtë rast. Durimi ynë nuk është i pafund. Ne nga ana jone, qeveria federale, Bundestagu ju mbështesim në të gjitha çështjet dhe në këtë kuadër, ju keni marrë statusin e vendit kandidat. Por në qoftë se ne, në fund të ditës na krijohet përshtypja që kjo reformë nuk është e dëshiruar, që lufta ndaj korrupsionit nuk funksionon ashtu siç duhet, atëherë edhe ne në fund të ditës të marrim vendimin që t’ju heqin statusin e vendit kandidat”, u shpreh Krichbaum.

Për Gjermaninë, lokomotivën e Bashkimit Europian, efekti psikologjik i oreksit duket se ka eliminuar gjuhën formale dhe burokratike, ndaj sa në Bruksel e po aq në Tiranë, më shumë se një dëshirë apo porosi, fjalët e te dërguarit të Merkel ngjajnë më shumë si urdhër, sidomos kur bëhet fjalë për një datë.

“Mendoj që tashmë janë pjekur kushtet që të merret edhe një vendim. Data 21 korrik është një datë vendimtare përsa i përket kësaj çështje sepse duhet marrë një vendim. Ajo që duhet të shmangim ne është që në fund Bashkimi Europian dhe Komisioni Europian të mos humbasin durimin. Natyrisht që opozita dhe qeveria duhet të ecin në të njëjtën udhë dhe të gjejnë një kompromis”, vijoi zyrtari gjerman.

Krichbaum në fund të fjalës së tij, theksoi dhe njëherë se Gjermania ka qenë deri më tani në krah të Shqipërisë në rrugën e saj integruese, por në rast të dështimit të kësaj reforme, Berlini zyrtar do dal përpara në rrugën integruese, duke e bllokuar atë.

Top Channel