Anglia kërkon trajner, Wenger, kandidat për vitin 2017

29/06/2016 00:00

Pas eliminimit befasues nga Europiani i Francës, Federata angleze ka filluar të mendojë për të ardhmen.

Roy Hodgson dha dorëheqjen menjëherë pas humbjes me Islandën duke detyruar drejtuesit e institucionit më të lartë të futbollit anglez që të kërkojnë pasuesin e tij.

Orët e fundit drejtuesit e Federatës Angleze të futbollit janë takuar për të vlerësuar kandidatin më të mirë që mund të marrë përsipër të drejtojë skuadrën e “Tre Luanëve” dhe identikiti i përcaktuar prej tyre përkon me figurën e Wenger.

Trajneri francez i Arsenalit ka një kontratë me klubin londinez deri në vitin 2017 dhe te Anglia janë gati që të presin skadencën e saj për t’i dhënë atij çelësat e kombëtares.

Claudio Ranieri, Steve Bruce, Eddie Hou, Sam Allardyce, janë disa prej  trajnerëve të tjerë që janë marrë në konsideratë nga drejtuesit e federatës Angleze, por asnjë nuk ka të njëjtën eksperiencë dhe njohuri të Premier League si Wenger.

Ndërkaq në shtator nisin ndeshjet kualifikuese për Botërorin 2018 dhe Anglisë i duhet me çdo kusht një trajner.

Për këtë arsye në Federatë po mendojnë që të vendosin një trajner të komanduar ku favoriti në këtë pikë është Gareth Southgate.

Top Channel