Mustafa e Thaçi, telegrame ngushëllimi homologëve turq pas sulmit terrorist

29/06/2016 00:00

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur ngushëllime pas sulmit terrorist në Stamboll, i cili la të vdekur dhjetëra njerëz dhe qindra të tjerë u plagosën. Telegram ngushëllimi, kryeministri Mustafa i ka dërguar edhe kryeministrit të Turqisë, Binali Yildirim.

Në telegramin e kryeministrit Isa Mustafa thuhet:

“Jemi thellësisht të trishtuar nga sulmi terrorist që goditi Stambollin, duke lënë të vdekur dhjetëra njerëz dhe plagosur qindra të tjerë. Qytetarët e Kosovës e përjetojnë rëndë çdo akt të tillë vdekjeprurës, i cili ka për synim të vrasë njerëz të pafajshëm, të fus ndjenjën e frikës dhe të terrorit te njerëzit e vullnetit të mirë. Por, detyra jonë e përbashkët, e të gjithë popujve dhe shteteve demokratike, është që përkundër ngjarjeve të tilla që na prekin thellë, të mos lejojmë që terroristët të realizojnë synimet e tyre. Vlerat demokratike dhe civilizimi njerëzor do të triumfojnë mbi të keqen globale. Në emër të Qeverisë dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës, iu shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe Qeverisë turke për humbjet e pakompensueshme. Republika e Kosovës është e përkushtuar në kuadër të angazhimeve të botës demokratike, të prira nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftën kundër terrorizimit”.

Edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas sulmeve të mbrëmshme në aeroportin “Ataturk” në Stamboll i ka dërguar një telegram ngushëllimi Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Taip Erdogan.

Në këtë telegram ngushëllimi të presidentit Thaçi thuhet se sulmet terroriste në aeroportin “Ataturk” në Stamboll janë të papranueshme dhe thellësisht të dënueshme.

“Asgjë nuk mund të arsyetojë përdorimin e dhunës dhe marrjen e jetëve të njerëzve të pafajshëm”, shkruan presidenti Thaçi, duke u shprehur thellësisht i tronditur nga dhimbja e shkaktuar, nga shkatërrimi dhe nga terrori i përhapur.

“I shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave, Presidentit të Turqisë, Recep Taip Erdogan, Qeverisë së Republikës së Turqisë dhe tërë popullit mik të Turqisë”, thuhet ndër të tjera në telegramin e ngushëllimit të presidentit Thaçi.

Top Channel