Një ndër kompanitë më të mëdha të Ballkanit në shitjet me pakicë ka njoftuar se depozitoi në Gjykatën Administrative të Athinës shpalljen e falimentit.

Sipas “Marinopulos Group”, kjo kompani depozitoi kërkesën për futjen në nenin 99, me qëllim mbrojtjen e saj prej kreditorëve për shkak të mungesës së likuiditetit, çfarë do të thotë se tashmë kompania ka kaluar në faliment të kontrolluar.

“Marinopulos” është një prej kompanive historike greke. Ajo është krijuar në fund të viteve 1800 dhe i ka mbijetuar të gjitha proceseve dramatike që ka kaluar vendi në këto dy shekujt e fundit, por duket se nuk mundi t’i bëjë ballë krizës së fundit ekonomike që ka pllakosur vendin.

Ajo është e specializuar në shitjet me pakicë dhe ka në zotërim një rrjet të madh supermarketesh në të gjithë vendin.

Deri pak muaj më parë, ajo konsiderohej si një ndër lokomotivat e ekonomisë greke, me xhiro prej gati 2.5 miliardë eurosh në vit. Degët e saj ndodhen edhe në vende të tjera të Ballkanit, si Maqedoni, Bullgari dhe Rumani.

Sipas analistëve, rënia e saj filloi 5 vite më parë prej kalimit të Greqisë në recesion. “Marinopulos” nuk mundi t’i bëjë ballë uljes së marzhit të fitimeve, që në koordinim me rënien e xhiros në shitjet me pakicë për shkak të krizës ekonomike që ka pllakosur Greqinë, i krijuan asaj një gropë financiare prej më shumë se gjysmë miliard eurosh, ndërsa borxhet e palikuiduara kundrejt furnitorëve llogaritet në pothuajse 425 milionë euro. Në total, borxhet e kompanisë llogariten në më shumë se 1.3 miliardë euro.

Fillimisht ajo tentoi të bashkohet me një tjetër kompani të shitjeve me pakicë, çfarë do ta kthente atë në një prej kompanive më të mëdha në Ballkan, por duket se marrëveshja e dy kompanive përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme.

Kompania “Marinopulos” ka më shumë se 350 supermarkete dhe magazina shumice në të gjithë Greqinë. Ajo punëson më shumë se 12.500 vetë, bashkëpunon me më shumë se 2.000 pika furnizimi në vend dhe në Europë.

Besohet se  efektet e rënies së saj llogaritet të krijojnë shumë dallgë anësore në ekonominë e brishtë greke, për shkak të dëmeve që do të pësojnë pikërisht shumë prej kompanive furnitore të saj.

Fillimisht qeveria tentoi të qëndrojë larg problemit, por pamjet e sekuestrimeve të detyruara prej kreditorëve të kompanisë nëpër supermarkete dhe mijëra punonjësit e papaguar të saj, kanë detyruar qeverinë të ndërhyjë për të siguruar një proces me sa më pak efekte negative, sqarojnë burime qeveritare.

Gjatë ditëve në vazhdim pritet që gjykata të vendosë për mënyrën e likuidimit të kompanisë dhe fatin e mijëra të punësuarve prej saj.

Top Channel