Rikonstruktohet kopshti në Sauk, me kënd të ri lojërash për fëmijë

29/06/2016 00:00

Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e plotë të kopshtit në Sauk, të cilit i është shtuar edhe një hapësirë me lodra për fëmijët. Ambientet e rikonstruktuara u përuruan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur për të rikonstruktuar të gjitha kopshtet brenda këtij viti.

“Është një punë që bëhet me shumë dashuri, e cila u vjen në ndihmë edhe prindërve të cilët duan t’i çojnë fëmijët e tyre në një ambient të sigurt. Veç rikonstruksionit, nga shtatori ky kopsht do të kthehet në një kopsht me drekë. Më vjen mirë që kemi rikuperuar gjysmën e ndërtesës, e cila më parë ishte totalisht jashtë përdorimit. Sot është në dispozicion të fëmijëve”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se do të punohet gjatë gjithë verës, në mënyrë që në qershor fëmijët të gjejnë kopshte, shkolla, e çerdhe më cilësore.

“Jemi thuajse në gjysmën e rrugës, ndaj dua të siguroj qytetarët që kur të kthehen në shtator do të gjejnë kopshte, shkolla, e çerdhe totalisht të rikonstruktuara. Sigurisht, do të jenë më cilësorë. Më vjen mirë që, si ky kopsht, po punohet pa pushim, gjatë gjithë verës, edhe në kopshtet e tjera, të cilët po pajisen me kënde lodrash, në mënyrë që fëmijët të kenë një ambient të sigurt, por edhe mundësi të luajnë”, shtoi kreu i bashkisë. Sipas tij, rritja e cilësisë së shërbimit dhe përmirësimi i kushteve të jetesës në këto kopshte ka bërë që këtë vit të rritet në mënyrë të ndjeshme kërkesa e prindërve për t’i çuar fëmijët e tyre në institucionet publike”, u shpreh Veliaj.

Top Channel