Ndërron jetë Scotty Moore, kitaristi i Elvis Presley

29/06/2016 00:00

Një prej pionierëve kitaristë të rokut, Scotty Moore, ish-pjesëtar i bandës së Elvis Presleyt, ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare në Nashville të Shteteve të Bashkuara gjatë së martës, pas një sërë muajsh problemesh shëndetësore.

Ai mbahet mend për kontributin që i dha Elvisit në riformësimin e muzikës së tij që më pas u quajt “Rock ‘n’ Roll”, e që frymëzoi gjenerata të tëra kitaristësh. Moore ishte i fundit i mbetur gjallë nga banda origjinale e Elvisit, ku veç këtij të fundit ishin edhe basisti Bill Black dhe producenti Sam Philips.

Si pjesë e “The Blue Moon Boys”, Moore mbështeti Presleyn në shumë prej këngëve të tij legjendare, përfshi edhe ato “Heartbreak Hotel”, “Blue Suede Shoes” dhe “Jailhouse Rock”.

Keith Richards nga “The Rolling Stones” ishte një prej atyre që u frymëzua nga Moore. Dikur ai ka thënë se “kur dëgjova Heartbreak Hotel, atëherë e kuptova se çfarë dëshiroja të bëja në jetë”.

“Ishte tepër e thjeshtë. Gjithçka doja të bëja në këtë botë ishte të mundesha të luaja një muzikë që të ngjante me atë. Të gjithë të tjerët donin të bëheshin Elvis, ndërsa unë doja të bëhesha Scotty”.

I lindur në Tennessee, Scotty Moore nisi të luante në kitarë në moshën 8-vjeçare. Pas një periudhe të kaluar në Marinën amerikane, ai iu rikthye muzikës dhe në vitin 1954, teksa jetonte e punonte në Memphis, ai formoi bandën e muzikës “country” të quajtur “The Starlite Wranglers”, së bashku me Black. Në po të njëjtin vit, Phillips në shtëpinë e regjistrimit “Sun Records” e bashkoi atë me një këngëtar tepër të ri që kishte pikasur në audicione: Elvis Presleyn.

Ata punuan së bashku për 14 vite dhe Moore ishte edhe menaxheri i parë i Presleyt. Moore ka pasur bashkëpunime në punë edhe me shokun e tij Carl Perkins, por edhe me artistë të tjerë si Ringo Starr, Keith Richards, Jeff Beck dhe Ronnie Wood.

Sigurisht që nuk mund të mungonte edhe në “Hollin e Famës” së muzikës “Rock and Roll”, ku u përfshi në vitin 2000, ndërsa pas 15 vitesh u rendit i 29-ti në listën e 100 kitaristëve më të famshëm të revistës “Rolling Stone”.

Top Channel