Brukseli: S’ka privilegje për Londrën. Do të paguajë koston e largimit

29/06/2016 00:00

Udhëheqësit e Bashkimit Europian do të nisin ditën e dytë të samitit të tyre në Bruksel, këtë herë pa praninë e kryeministrit britanik Cameron, pas votimit të javës së kaluar në Britani për largim nga BE-ja.

Të martën, David Cameron u tha 27 krerëve të tjerë europianë se bashkëpunimi tregtar dhe ai për sigurinë do të ishin jetikë pavarësisht lidhjeve të ardhshme.

Kancelarja gjermane Angela Merkel i bëri thirrje BE-së që të respektojë rezultatin e votimit britanik, por së bashku me udhëheqësit e tjerë ripërsëritën thirrjen ndaj Britanisë që të përcaktojë planet për ta lënë unionin sa më shpejt të jetë e mundur. Ata këmbëngulin se nuk mund të zhvillohen negociata përpara se Britania të mund të shfrytëzojë zyrtarisht nenin 50 të Traktatit të Lisbonës, që përbën edhe pikënisjen e negociatave për tërheqjen.

Takimi i së martës në Bruksel ishte edhe i fundit në një samit europian për Cameronin, pasi ky i fundit njoftoi dorëheqjen si kryeministër i britanikëve në muajin tetor.

Ndërkohë, 27 krerët e tjerë europianë do të mblidhen këtë të mërkurë në Bruksel për të diskutuar mbi të ardhmen e unionit pa vendin ishullor. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur prej më shumë se 40 vitesh.

Të martën, Cameron tha gjithashtu se pjesa tjetër e Europës dëshironte të kishte marrëdhënie “sa më të afërta të mundshme” me Britaninë e Madhe pas “Brexit”, por shtoi se emigracioni ka qenë një “shqetësim i madh” mes votuesve britanikë dhe ndreqja e kësaj me aksesin në tregun e përbashkët europian do të ishte një “sfidë e vështirë”.

Por në Bruksel, politikanët gjermanë këmbëngulën në idenë e tyre se Britania nuk mund të “përzgjedhë sipas qejfit” aspekte të ndryshme në BE. Merkel theksoi se ishulli britanik duhet të pranojë lëvizjen e lirë, nëse do të dëshironte të ruante aksesin në tregun e përbashkët.

“Të gjithë ne ndiejmë keqardhje për rezultatin e referendumit dhe e kemi bërë të qartë tashmë se procedurat ligjore duhet të nisin me thirrjen e nenit 50 të Traktatit të Lisbonës nga Britania”, tha ajo. “Cameron na tha se do t’ia ngarkonte këtë përgjegjësi veprimi qeverisë së re. Të gjithë ramë dakord që përpara këtij zhvillimi nuk mund të ketë asnjë negociatë formale apo informale”, deklaroi Merkel.

Në fund, Kancelarja gjermane tha se “ne nuk shohim asnjë mundësi për ta kthyer mbrapsht këtë që ndodhi. Ndaj dhe nuk është koha të menduar çfarë dëshirojmë, por për t’u përballur me realitetin”.

Edhe Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker deklaroi se Britania nuk ka “muaj në dispozicion për t’u menduar” mbi aktivizimin e nenit 50. “Nëse dikush prej kampit pro qëndrimit do të bëhet kryeministër i Britanisë, ky aktivizim duhet të bëhet brenda dy javëve pas emërimit të tij”, tha ai. “E njëjta gjë edhe nëse kryeministri zgjidhet nga kampi pro largimit”.

Top Channel