Gjendet njëri nga marinarët, i lidhur në hambarin e anijes. Kërkohet i dyti

29/06/2016 00:00

Një ditë pas arrestimit të shtetasit egjiptian Adel Salam, i akuzuar nga policia shqiptare si autori i rrëmbimit të anijes “Çelepia 2”, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka njoftuar se në bordin e anijes është gjetur edhe shtetasi shqiptar Luan Mema, ndërsa ende nuk ka asnjë informacion lidhur me fatin e kapitenit Dhimitër Malja.

MPJ bën të ditur se menjëherë pas marrjes së informacionit për gjetjen dhe bllokimin e peshkarexhës nga Marina egjiptiane dhe transferimin e saj në një port ushtarak në Aleksandri, Ambasada jonë në Egjipt kontaktoi me autoritetet lokale të sigurisë dhe hetimit, të cilat informuan se mes personave të ndaluar në bordin e peshkarexhës gjendet shtetasi shqiptar Luan Mema, gjendja shendetësore e të cilit paraqitet e qëndrueshme.

Ambasada shqiptare në Egjipt po kujdeset për t’i ofruar asistencën konsullore të nevojshme, si dhe në bashkëpunim me autoritetet egjiptiane, pas përfundimit të hetimit do te jap gjithë ndihmën e mundshme për kthimin e shtetasit Luan Mema në Shqipëri.

Autoritet egjiptiane janë duke punuar për gjetjen e vendndodhjes së shtetasit tjetër shqiptar, Dhimitër Malja si dhe kryerjen e të gjitha procedurave hetimore për zbardhjen e kësaj ngjarje. Ministria e Punëve të Jashtme dhe të gjitha organet e tjera të përfshira në këtë operacion shëtimi sigurojnë opinionin publik për angazhimin maksimal.

Ndërkaq, burime për Top Channel bëjnë të ditur se gjatë marrjes në pyetje marinari shqiptar Luan Mema ka deklaruar se pas daljes nga Porti i Durrësit në datë 18 qershor, ai është helmuar dhe vënë në gjumë nga ana e marinarit egjiptian dhe më pas kur është zgjuar e ka gjetur veten të lidhur.

Lidhur me fatin e kapitenit Malja mësohet, nga deklarimet, se mund të ketë lënë bordin e anijes në datë 20 qershor. Por, këto deklarime duken kontradiktore dhe pritet që Prokuroria e Egjiptit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Shqipëri të nisin verifikimet për deklarimet e dhëna nga marinari Mema dhe të pritet nga pala egjiptiane versioni i deklarimeve që ka dhënë Adel Mohamed Salam lidhur me rrëmbimin e peshkarexhës “Celeipa 2” dhe mbi të gjitha mbi fatin e kapitenit Dhimitër Malja.

***

Anija e peshkimit “Çelepia 2” ishte zhdukur që prej 21 qershorit dhe egjiptiani Adel Salam mori përsipër pengmarrjen. Ai kërkoi 70 mijë euro në këmbim për të liruar anijen dhe dy marinarët e saj shqiptarë.

30-vjeçari egjiptian, marinar në anijen e peshkimit “Çelepia 2” i ka telefonuar një bashkëkombasi të tij, i cili punon në Portin e Durrësit duke i thënë se motopeshkatorja ndodhet në afërsi të portit të Aleksandrisë në Egjipt. Ai kërkoi 70 mijë euro, në të kundërt ai kërcënoi se do të fundosë anijen së bashku me 2 marinarët shqiptarë.

Në bordin e “Çelepia 2” në momentin e marrjes peng ndodheshin motorist Luan Mema dhe kapiteni Dhimitër Malja. Ka qenë vetë pronari i peshkarexhës Murat Çelepia ai i cili ka njoftuar kapitenerinë dhe policinë se kishte humbur çdo kontakt me ekuipazhin.

FOTO GALERI
1/1
Top Channel ka siguruar foto të Luan Memes, tashme te liruar

Top Channel