Sulmet në Bengazi, akuza për administratën Obama

29/06/2016 00:00

Ushtria amerikane dështoi në mbrojtjen e 4 shtetasve amerikanë që u vranë në sulmet kundër Konsullatës së SHBA-ve në qytetin libian të Bengazit, pretendon një raport i Kongresit.

Administrata Obama u kritikua për mungesën e masave të duhura të sigurisë dhe reagimin e ngadaltë ndaj sulmeve të vitit 2012 thuhet në raportin prej 800 faqesh të hartuar nga Komision republikan i Dhomës së Përfaqësueseve.

Por siç u bë e ditur, ai nuk gjeti asnjë provë të re për ndonjë abuzim të mundshëm nga ish-Sekretarja amerikane e Shtetit dhe kandidatja për Shtëpinë e Bardhë, Hilary Clinton.

Gjithsesi aty sugjerohet se ajo dhe zyrtarë të tjerë të administratës nuk i kishin adresuar në mënyrë të përshtatshme rreziqet e përfshira. Kjo çështje e ka persekutuar prej kohësh Clintonin gjatë fushatës elektorale. Militantë islamikë sulmuan Konsullatën amerikane në Bengazi më 11 shtator të 2012-s duke vrarë 4 amerikanë, mes tyre edhe ambasadorin Chris Stevens.

Liderët ushtarakë pretendojnë se nuk kishin informacione të mjaftueshme nga inteligjenca lidhur me atë që po ndodhte e as resurset për të reaguar në mënyrë të shpejtë. Ish-Zonja e Parë reagoi pas publikimit të raportit duke thënë se pas 2 vitesh, komisioni nuk kishte zbuluar asgjë të re.

Ndërkohë demokratët në raportin e tyre pranuan se masat e sigurisë së Departamentit Amerikan të Shtetit kishin qenë të papërshtatshme por duke theksuar se Clinton nuk i kishte refuzuar kurrë kërkesat për më shumë siguri. Ata e cilësuan raportin e republikanëve si një komplot që shënjestron kandidaten demokrate e që risjell në vëmendje akuza të pabaza.

Top Channel