Terrori, tre kamikazë sulmojnë aeroportin “Ataturk”. Së paku 36 viktima

28/06/2016 00:00

Aeroporti “Ataturk” i Stambollit është tronditur nga dy shpërthime të njëpasnjëshme ku sipas mediave shtetërore turke kanë humbur jetën të paktën 36 persona ndërsa kanë mbetur qindra të plagosur. Guvernatori i Stambollit tha se tre kamikazë në bashkëpunim mes tyre kanë kryer sulmin.

Dy ishin të pajisur me lëndë eksplozive dhe u hodhën në erë, ndërsa i treti ka shtënë me kallashnikovë në parkimin e aeroportit si një taktikë e njohur për të shpërqendruar vëmendjen e policisë.

Në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë ambulancat. Stambolli është blinduar nga siguria e lartë. Fluturimet në terminal janë pezulluar. Aeroporti është i treti më i madh në Turqi dhe sulmet kanë ndodhur në një periudhë kur fluksi i lëvizjeve është tepër i lartë. Sipas analistëve, “Ataturku” ka qenë një objektiv vulnerabel ndaj sulmeve të tilla.

Turqia është gjunjëzuar disa herë nga sulme të tilla, pasi është pjesë e fushatës së bombardimeve ajrore kundër ISIS, ndërsa vuan edhe luftën me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit. Në muajin mars, të paktën 37 persona mbetën të vrarë ndërsa një makinë bombë shpërtheu pranë një stacion autobusi në Ankara, një sulm që mbante vulën e militanteve kurd.

Nuk kaloi shumë dhe në qershor 28 persona në Ankara humbën jetën nga një tjetër sulm i kurdëve. Ndërsa në janar, të paktën 10 turistë gjermanë vdiqën në sheshin “Sultanahmet” të Stambollit nga një sulm i ISIS.

Ndërkohë të martën në mbrëmje, në shënjestër ishte aeroporti “Ataturk”, i 11-ti në botë përsa i përket trafikut të fluturimeve. Kjo situatë ka pasur një ndikim të madh në industrinë e turizmit të Turqisë, një sektor kyç i ekonomisë në vend. Departamenti Amerikan i Shtetit prej muajit mars e ka cilësuar Turqinë si një destinacion të rrezikshëm.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel