Europa League, mbyllet barazim Partizani-Slovan Bratislava

28/06/2016 00:00

Një barazim i bardhë në Elbasan Arena që tregoi se Slovan Bratislava nuk është aq e frikshme sa emri, me të kuqtë që patën më shumë shanse për ta fituar takimin dhe tani ju mbetet të kërkojnë kualifikimin pas një jave në Sllovaki.

Padyshim me ndryshime skuadra e kuqe, me Starovën e kthyer në stol enkas për misionin Europian, i vetmi i huaj në fushë Torasa, Sukaj i cili pret zyrtarizimin në Malajzi me Perak Fa në tribunë si tifoz me Filin që kishte zënë vendin e tij në sulm me Bathën e Trashin me detyrën për të ndërtuar, pa sulmuesin e Hungarisë Tamas Priskin në fushë Slovan Bratioslava.

Mes ditëve të Europianit, temperaturave të larta e një ndeshje larg kryeqytetit numër modest tifozësh në Elbasan Arena. Ndeshje që nis me fazën e studimit dhe Hoxhën që i duhet të bëjë daljen e parë për të kontrolluar zonën në minutën e 10, me takimin që vijon mes shumë gabimeve në pasime nga të dyja skuadrat duhet pritur minuta e 24 për të parë goditjen e parë drejt portës nga Partizanin në tentativën me kokë të Idriz bathës.

8 minuta më pas Fili depërton bukur në të djathtë dhe godet në diagonale por është i gatshëm në shtyllën e parë portieri Mucha, Partizani fiton dalëngadalë terren por pa krijuar raste flagrante dhe e mbyll pjesën e parë me një goditje për tu harruar të Emiljano Vilës.

Me të njëjtin protagonist dhe goditjen nga distanca sërish jashtë shënjestre nisi  fraksioni i dytë, shumë më ritmik me sllovakët që krijojnë rastin më të pastër në të 66 kur Zre’lak del para Alban Hoxhës me kapitenin e kuq, menjëherë më pas është festival rastesh flagrante për Partizanin, në të 67 krosim i bukur i Trashit nga e majta me Filin që në pozicion të favorshëm godet në qendër të portës me kokë duke ja bërë gjithçka të lehtë portierit Mucha.

Vetëm 3 minuta më vonë Fili ka sërish një shans të dytë nga thuajse i njëjti pozicion por këtë herë në përpjekje për ta çuar topin në trekëndësh gabon sërish. ndërsa në të 73 është Idriz Batha që tenton edhe një herë me kokë, me Muchën që këtë herë i duhet të hidhet në ekstrem për të evituar rrezikun.

Në minutën e 85 Soumah depërton bukur në zonë dhe kërkon një 11 metërsh por merr në mënyrë të merituar një karton të verdhë nga arbitri për simulimin evident.

Është në minutën e 89 shansi më i mirë i Partizanit me Vilën që ka hapësirën e duhur për të goditur në hyrje të zonës me mbrojtjen sllovake të çorientuar por godet jashtë, menjëherë më pas të kuqtë shpëtojnë mrekullisht pasi është vetëm traversa që i mohon golin Schet dhe mbyllet 0-0.

Një takim që të kuqtë padyshim me pak më tepër cinizëm mund ta kishin fituar. Tani mbetet gjithçka për t’u vendosur në ndeshjen e kthimit ku Partizanit mund t’i mjaftojë edhe një barazim me gola për t’u kualifikuar.

Top Channel