SIDA dhe tuberkulozi mund të mposhten, por…

28/06/2016 00:00

SIDA, tuberkulozi dhe malaria janë epidemi që mund të shërohen, por më parë duhet të kalojnë një pengesë: rezistencën ndaj ilaçeve, që vë në rrezik miliona jetë.

Këto sëmundje vazhdojnë të vrasin, sidomos në Afrikë ku përbëjnë shkakun e parë të vdekjeve në radhët e popullësisë në moshë të re dhe mes grave në moshën e riprodhimit.

“Mund t’i ndalim epidemitë e HIV-it, tuberkulozit dhe malaries në të gjithë botën brenda vitit 2030. Brenda 2020-ës do të mund të eliminojmë malarien në 21 vende”, ka deklaruar Mark Dybul, drejtor i Global Fund, rrjeti global i ngritur për t’i dhënë fund këtyre sëmundjeve.

Por, ka shtuar Dybul, nëse nuk ndërhyet në kohë ekziston rreziku i rezistencës ndaj ilaçeve. “Kjo ndodh kur mjekimet ndërpriten papritur, ose nëse nuk jepen dozat e duhura”, ka thënë Dybul.

Ndërsa për filantropin Bill Gates, që ka krijuar edhe një fondacion kundër epidemive në vendet e varfëra, është jetike që të gjehet një vaksinë kundër SIDA-s.

“Aktualisht janë 3-4 përpjekje, por do të duhet kohë, të paktën 8 ose 10 vjet për të arritur tek një vaksinë e sigurtë”, ka deklaruar Gates.

Top Channel