Britani, Corbyn refuzon dorëheqjen: Mocioni, asnjë legjitimitet kushtetues

28/06/2016 00:00

Edhe pse humbi thellë mocionin e mosbesimit ndaj tij, të sjellë për votim nga deputetët laburistë, kreu i opozitës britanike, Jeremy Corbyn refuzon të japë dorëheqjen duke u justifikuar se “vota e mocionit nuk ka asnjë legjitimitet kushtetues”.

Ai ka reaguar përmes një deklarate ku shprehet ndër të tjera se, laburistët kanë përgjegjësi të udhëheqin vendin, për sa kohë që qeveria nuk e bën diçka të tillë. Ai fton për unitet mes të tijve në mënyrë që ta detyrojnë qeverinë të japë llogari për atë që pritet të ndodhë pas referendumit të javës së kaluar.

“Pas referendumit, vendi ynë përballet me sfida tepër madhore. Rreziqet ndaj ekonomisë dhe standardeve të jetesës po shtohen gjithnjë e më shumë, ndërkohë që populli është i përçarë, – thotë ai në deklaratën e tij. – Qeveria është në një situatë përshtjelluese, ministrat e kanë bërë të qartë se nuk kanë një plan daljeje nga BE-ja, por janë të vendosur të detyrojnë krahun punëtor të paguajnë me një tjetër raund uljeje të shpenzimeve dhe rritjeje taksash. Laburistët kanë përgjegjësi të marrin udhëheqjen e vendit, për sa kohë që qeveria nuk e bën këtë gjë. Duhet të bashkojmë njerëzit, ta bëjmë qeverinë të mbajë përgjegjësi, si dhe të kundërshtojmë masat shtrënguese. Por edhe të përcaktojmë rrugëtimin e daljes nga BE-ja që do të mbrojë vendet e punës dhe të ardhurat për britanikët”.

Më tej, Corbyn shprehet se, për ta bërë këtë gjë laburistët duhet të qëndrojnë të bashkuar.

“Që kur jam zgjedhur udhëheqës i partisë sonë 9 muaj më parë, kemi mposhtur vazhdimisht qeverinë në sulmet e saj kundër standardeve të jetesës. Muajin e kaluar, Partia Laburiste u bë partia më e madhe në zgjedhjet lokale. Në referendumin e së enjtes së kaluar, një shumicë e vogël votoi pro largimit, por dy të tretat e mbështetësve laburistë mbështetën thirrjen tonë për të votuar pro qëndrimit”.

Ndërkaq, sa i përket të ardhmes së tij, Corbyn shprehet:

“Jam zgjedhur në mënyrë demokratike udhëheqës i partisë sonë, për politika të reja, nga 60 për qind e anëtarëve dhe mbështetësve laburistë, ndaj dhe nuk mund t’i tradhtoj ata duke dhënë dorëheqjen. Votimi i sotëm nga deputetët laburistë nuk ka asnjë legjitimitet kushtetues. Ne jemi një parti demokratike dhe me një Kushtetutë të qartë. Populli ynë ka nevojë për anëtarët e partisë Laburiste, për sindikatat tregtare dhe parlamentarët që të bashkohen në një trup të vetëm, nën udhëheqjen time, në këtë moment tepër kritik për vendin tonë”, mbyll deklaratën Corbyn.

Top Channel