Ndjesa e Erdoganit, Kremlini zbeh shpresat për normalizim të shpejtë të marrëdhënieve ruso-turke

28/06/2016 00:00

Kremlini nuk iu është përgjigjur me të njëjtën “monedhë” shpresave të Turqisë për një rikthim të shpejtë të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve gjatë ditës së martë, vetëm një ditë pasi Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan shprehu keqardhjen e tij për rrëzimin e një avioni luftarak rus gjatë vitit të kaluar.

Avioni rus u rrëzua me pasojë vdekjen e pilotit nëntorin e kaluar, teksa merrte pjesë në fushatën ushtarake të Kremlinit në Siri. Ankaraja tha se piloti kishte vepruar në mënyrë të paligjshme duke shkelur hapësirën ajrore turke, por Moska nga ana e saj nuk e pranoi asnjëherë këtë dhe tha se diçka e tillë nuk kishte ndodhur.

Incidenti shkaktoi ndërmarrjen e një sërë sanksionesh nga ana e Rusisë ndaj Turqisë, të cilat kanë prekur kryesisht tregtinë dhe turizmin në shtetin e shtrirë në dy kontinente.

Pasi i shkroi një letër Presidentit rus, Vladimir Putin, ku i shprehte keqardhjen gjatë së hënës, Erdogan tha se besonte që Ankaraja duhej të përmirësonte marrëdhëniet me Moskën “sa më shpejt të ishte e mundur”. Por nga Kremlini u shfaqën me një ton disi më të kujdesshëm këtë të martë.

“Asnjëri nuk duhet ta mendojë si të mundshme normalizimin e gjithçkaje brenda pak ditësh, por puna në këtë drejtim do të vazhdojë”, tha zëdhënësi Dmitry Peskov për reporterët gjatë një telekonference. “Presidenti Putin e ka shprehur më shumë sesa një herë dëshirën e tij për të ruajtur marrëdhënie të mira me Turqinë dhe me popullin turk”, tha më tej Peskov. “Ndërsa tani, thjesht sa është hedhur një hap tepër i rëndësishëm”.

Putin dhe Erdogan do të zhvillojnë një bisedë telefonike – me nismën e Moskës – gjatë së mërkurës, njoftoi më tej Peskov.

Në të kaluarën, Putin kishte deklaruar se ndjesa nga ana e Erdoganit ishte e nevojshme për të përmirësuar marrëdhëniet. Megjithatë, zëdhënësi i Erdoganit, Ibrahim Kalin tha se presidenti turk thjesht sa kishte shprehur keqardhjen për atë ngjarje në letrën drejtuar Putinit, por u kujdes të shtonte se ajo nuk përbënte një kërkesë ndjese.

Edhe nëse marrëdhëniet mes dy vendeve përmirësohen, shtoi Kalin, disa pika fërkimi kryesisht mbi Sirinë por edhe për çështje të tjera do të mbesin.

“Në të ardhmen, marrëdhëniet e Turqisë me Rusinë do të futen në një fazë normalizimi. Politikat tona ndaj Ukrainës, Sirisë dhe Krimesë nuk do të ndryshojnë, pasi nuk biem dakord me Moskën në këto aspekte, por do të jemi të hapur për të diskutuar në lidhje me to”, tha zëdhënësi turk për reporterët.

Në konfliktin sirian, Rusia mbështet Presidentin Bashar al-Assad, ndërsa Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë mbështesin grupet e rebelëve që kërkojnë rrëzimin e tij nga pushteti.

Top Channel