PD: Qeveria e zhvatjeve, frikë nga programi ynë ekonomik

28/06/2016 00:00

Partia Demokratike ka akuzuar ministrin e Financave, Arben Ahmetaj se, zgjodhi të keqpërdorë dhe deformojë programin e PD për taksat, në një përpjekje, sipas saj, të dëshpëruar për të frikësuar 623 mijë të punësuarit se, gjoja të gjithë ata do të paguajne 110 milionë dollarë më shumë taksa me prezantimin e taksës së sheshtë prej 9%.

“Ky është vetëm një mashtrim i ulët nga paniku që qeveritarët kanë prej alternativës së PD. Ministri i Financave i qeverisë hajdute të 400 milionë dollarëve të vjedhur në vit në Tatime e Dogana zgjodhi të dizinformojë qytetarët shqiptarë se me uljen e TVSH nga 20% në 15% borxhi publik do të rritet ne 85% të GDP”, thuhet në reagimin e PD.

Sipas partisë kryesore të opozitës, “ministri i Financave i qeverisë zhvatëse, që bën tym 80 milionë dollarë të shpenzuar vetëm për luks dhe 15 milionë dollarë vetëm për bileta avioni, tentoi të frikesojë shqiptarët se gjoja programi i PD do të zhbëka “arritjet” e qeverisë së mavijosur”.

“Partia Demokratike, duke hedhur poshtë me neveri shpifjet, trillimet dhe dashakeqësinë primitive të këtij ministri të qeverisë së motos: grabit-vidh-zhvat, deklaron se ora kur programi i PD do të zbatohet për të ndryshuar jetët e të gjithë shqiptarëve ka ardhur. Asnjë shqiptar nuk ka arsye të frikësohet nga balta Rama-Ahmetaj”, ka deklaruar PD.

Sipas saj, “shqiptarët do të paguajnë më pak taksa, borxhi publik nuk do të rritet dhe më shumë para do të ngelen në xhepat e tyre”.

“Borxhi publik do të ulet në mënyrë drastike. Bujqit shqiptarë do të përfitojnë subvencion rreth 10 herë më shumë sesa marrin dot. Në arkën e shtetit do të hyjnë edhe ato 1 miliard dollarë që sot përfundojnë në xhepat e Edi Ramës e hajdutëve të tij me tendera e konçesionet sipas motos vidh-grabit-zhvat. Do të kthehen në vende pune, investime e mirëqënie edhe ato 400 milionë dollarë të evazionit e kontrabandës. Ja, pra, kush ka arsye të frikësohet nga programi financiar dhe ekonomik i PD: oligarkët, kontrabandistët, evazorët  dhe shërbëtorët e tyre në qeveri. Këta kanë arsye ta ndjejnë se ora e drejtesisë, jo drejtesisë së kapur nga partia, por drejtësisë së vërtetë, po troket”, vijon qëndrimi i PD.

Top Channel