Kosovë, promovohet libri “Zhurmuesit e Demokracisë” i ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi

28/06/2016 00:00

Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” u promovua libri më i ri i historianit dhe politikanit, Jakup Krasniqi, me titull “Zhurmuesit e Demokracisë”. Përmes këtij libri, autori Jakup Krasiniqi sjellë rrjedhën e Kosovës në shumë aspekte e me theks të veçantë politikën e sotme.

Autori i “Zhurmuesit e Demokracisë”, derisa tregoi se kjo vepër përbëhet nga dy pjesë, trajtesa historike dhe ajo shoqërore, tha se shqetësimi i tij qëndron në këtë të dytën, ngase, siç thotë Krasniqi, në heshtje nuk bëhen ndryshimet në realitetin shoqëror.

“Trajtesat shoqërore që i kam bërë, këndvështrimin që e kam shikuar, në fakt janë shqetësimet e mia për zhvillimet shoqërore në Kosovë dhe me dëshirë kështu siç i kam trajtuar nuk do t’i trajtoja, me dëshirë, po të ishte realiteti tjetër, do t’i shikoja në një këndvështrim krejt tjetër dhe krejt pozitiv. Ndoshta njerëzit mund edhe kanë të drejtë të thonë që je sh umë i shqetësuar. Ne jemi njerëz qofshim intelektualë, politikanë, qytetarë të thjeshtë, bujk, punëtor, jemi njerëz prej mishi dhe gjaku, prej nervave, kemi edhe emocione, shqetësime. Por, do të dëshiroja që realitetin tonë shoqëror ta kem parë me shqetësimin më të madh se sa që është, por frikësohem që shqetësimet e mia janë më ta kufizuara se sa është realiteti shoqëror. Për këtë realitet shoqëror, shoqëria shqiptare duhet të punojë që ta ndryshojë. Me heshtjen që mund t’i bëhet realitetit shoqëror nuk bëhen ndryshimet, ndryshimet bëhen vetëm aty ku preken problemet e një realiteti shoqëror”, u shpreh Krasniqi.

Kritiku letrar nga Shqipëria, Behar Gjoka duke dhënë vlerësimet e tij për botimin potencoi se autori me këtë vepër aspiron të thotë të vërtetën që pas lirisë dhe pavarësisë është koha të fitojmë mbi vetveten. Ai shtoi se në këtë libër janë ngritur problemet më të mprehta të shoqërisë.

“Në hapësirën tekstologjike janë ngritur problemet më të mprehta të shoqërisë, të plagëve të pafundësisë, të mërgimit të organizuar për ta braktisur Kosovën, të vonesave në hartimin e strategjisë ekonomike dhe më gjerë. Problematika të cilat janë edhe shqetësime kryesore të banorëve të Kosovës. Tërheqja e vëmendjes në disa prej trajtesave me problemet e drejtësisë, të shtetit ligjor, të fatit të demokracisë, tregon se janë trajtuar hallkat kryesore të ngërçit politik, ku gjendet demokracia në Kosovë. Po ashtu prekja e gangrenës së korrupsionit që po ia merr frymën shtetit dhe qytetarit, të zhytjes të një pjesë të politikanëve te format kryesore të tij sjell në mendje shprehjen ‘Populli që zgjedh politikanë të korruptuar, mashtrues, hajdutë e tradhtar, nuk janë viktima, por bashkëfajtor’”, tha Gjoka.

Ndërsa, kritiku tjetër letrar, Adem Gashi përveç paraqitjes së vlerësimeve për këtë libër kërkoi nga politikani Jakup Krasniqi që ta ndërpresë aktivitetin e tij politikë të vazhdojë me botimin e librave.

“Duke lexuar këtë libër jam kujtuar edhe për një fakt, pjesëmarrja aktive për politikë dhe në politikë përveç që përvojë, Jakup Krasniqit i është bërë edhe pengesë. Në këtë rrugë në gjysmë goje njëherë i kam thënë pas mandatit të krye-parlamentarit vjen mandati i libër-shkruesit, jo në trajtë memoaresh, por pikërisht në trajtë përvojash. Sot edhe këtu kemi përurim dhe ne dimë se do të mërrolen bashkë partiakët, por në mënyrë të alternuar them se ia thash edhe njëherë gjykimin tim -jemi në moshën e librave. Jakup, partit ë bëjnë edhe pa ne”, tha Gashi.

Mirëpo, sipas sekretarit të partisë Nisma për Kosovën, Bliall Sherifit, nëse kërkohet që Krasniqi të largohet nga politika atëherë duhet të largohet edhe nga libri. Ai përveç kundërshtimit të kësaj kërkese i bëri ftesë publike Gashit që të bashkëngjitet në politikë.

“Adem, kur të kërkosh nga Jakupi të heq dorë nga politika, kërko të heq dorë edhe nga libri sepse ky i ka të pandashme… Në Kosovë vazhdon të mbetet imperativ organizimi në parti politike jo vetëm për të përfaqësuar kategorinë të cilës ti i takon, por fatkeqësisht ende jemi në fazën ku mbrohen interesat nacionale sepse ato tha Çun Lajqi vazhdojnë të jenë të rrezikuara nga fara e keqe, vazhdojnë të jenë të rrezik ët gjitha të arriturat që i solli Adem Jashari me bashkëluftëtarët e tij. Prandaj, nuk ende koha për tërheqje. Koha është për të qëndruar së bashku. Madje edhe për të sulmuar në mënyrë që të mbrojmë të gjitha vlerat për ët cilat një shekull kemi derdh gjak. Mund dhe ndjerës. Ne nuk e kemi ndërmend ta lëshojmë Jakupin edhe me dashtë, por ne po të bëjmë ftesë edhe ty bashkohu ne sepse ka nevojë vendi për kontributin tënd edhe në politikë” u shpreh Sherifi.

Top Channel