“Brexit” shton racizmin, disa persona tentojnë të zbresin një të ri emigrant

28/06/2016 00:00

Policia britanike konfirmoi incidentin më të fundit me sfond racor në vend, të ndodhur mëngjesin e kësaj të marte në një tramvaj në Manchester. Një i ri ngrihet e nis të ofendojë një djalë, që i kërkoi të mos përdornin gjuhë vulgare, e shumë shpejt rreth tij grumbullohen edhe të tjerë që i kërkojnë personit të zbresë, ndërsa disa nga pasagjerët i kanë dalë në mbrojtje.

Britaniku: Ti duhesh deportuar. Je kukull, zbrit nga tramvaji tani.

Pasagjeri: Sa vjeç je ti që flet kështu, 18, 19?

Britaniku: Jam mjaftueshëm sa të kem qenë këtu përpara teje. Zbrit në këtë moment, ti emigrant i vogël i ndyrë.

Pasagjeri: Je ekstremisht injorant, e di këtë?

Britaniku: Zbrit nga tramvaji tani, zbrit tani të them.

Një grua bërtet kur njëri nga të rinjtë hedh birrë në drejtim të djalit të kthyer në shënjestrën e urrejtjes, e i kujton se ndodhet një fëmijë aty pranë, e se nuk ka nevojë për gjeste të tilla.

Pas videos së publikuar nga “Channel4 News”, njerëzit shpërthyen në rrjetin social “Twitter” duke u distancuar nga ngjarja, të cilën e përshkruajnë si të turpshme e të papranueshme.

Një ditë më parë, ligjvënësja konservatore britanike Sayeeda Warsi pohoi për CNN se, në ditët pas referendumit për shkëputje nga Bashkimi Europian, rastet e abuzimeve racore në vend janë shtuar ndjeshëm.

Top Channel