Laburistët thirrje për unitet, Corbyn organizon tubim ndërsa i kërkojnë largimin

28/06/2016 00:00

Lideri i opozitës britanike, Jeremy Corbyn shfaqet sfidues përballë mocionit të mosbesimit dhe tërheqjes së mbështetjes së pothuajse të gjithë ekipit të tij politik në vazhdën e referendumit dhe triumfit të kampit kundër qëndrimit në BE.

Përpara më shumë se 1.000 mbështetësve, Corbyn kërkoi të ruhet uniteti, ndërsa u kujdes të mos e përmendte hapur dramën nëpër të cilën po kalojnë laburistët.

“Kur nuk biem dakord me njëri-tjetrin, siç ndodh shpesh, kur e shkelim e kalojmë në abuzime, t’i më hedh një fjalë mua, unë te hedh një fjalë ty, ato herët e para situata mund të kapërcehet, e mund të jetë madje dhe argëtuese. Por, herën e katërt apo të pestë që këto episode përsëriten, e humbet krejtësisht audiencën që të kishte kushtuar vëmendjen e saj që në fillim. Kështu që ne ndjekim një politikë drejtësie, barazie, të të drejtave të njeriut e paqes nëpër botë, por ne duhet të ndjekim gjithashtu edhe politikën e trajtimin e njëri-tjetrit me respekt”, u shpreh Jeremy Corbyn, lideri i Partisë Laburiste në Britani.

Tubimi u zhvillua përpara ndërtesës së parlamentit, ku partia e tij po zhvillonte një takim për të diskutuar mocionin e mosbesimit ndaj lidershipit të Corbyn.

Ky i fundit është zotuar të luftojë për rimarrjen e kontrollit të laburistëve, duke i rezistuar presioneve të dorëheqjes për shkak të atyre që kritikët i cilësojnë si përpjekje pa shkëlqim e interes për ta mbajtur Britaninë brenda radhëve të Bllokut europian.

Mocioni duhet të mbahet me votë të fshehtë, por mund të mos jetë i mjaftueshëm për një kontestim zyrtar të lidershipit, që do të kërkonte nominimin e një kandidati rival me firmat e 51 ligjvënësve.

Top Channel