Ndjesa e Erdogan, presidenti tregon letrën drejtuar Rusisë

28/06/2016 00:00

Pasi shprehu keqardhje për rrëzimin e avionit rus, duke treguar kështu se ishte ai që po tërhiqej në sherrin me Moskën, Rexhep Tajip Erdgoan përcolli bindjen se Ankaraja do t’i normalizojë shumë shpejt marrëdhëniet me Rusinë.

“Pas pajtimit me letrën që i dërgova Rusisë për t’i dhënë një tjetër dimension marrëdhënieve tona, besoj se gjërat do të ecin në drejtimin e duhur. Në letër, shpreha keqardhje për incidentin e njëkohësisht risolla në vëmendje mundësitë e mëdha të bashkëpunimit që mund të kemi ne rajonin e Lindjes së Mesme. Besoj se relatat dypalëshe do t’i rikthehen me shpejtësi normalitetit duke i dhënë fund kështu një situate ekzistuese, që nuk është në interesin e asnjërës palë”, u shpreh Erdogan.

Ishte zëdhënësi i shefit të Kremlinit, Dmitry Peskov ai që pohoi për gazetarët në Moskë të hënën se kreu i shtetit turk kishte shprehur keqardhje për incidentin e muajit nëntor e i kishte përcjellë ngushëllimet më të thella familjes se pilotit të vdekur rus.

Peskov shtoi se presidenti Erdogan donte të bënte “gjithçka që është e mundur për riparimin e marrëdhënieve tradicionalisht miqësore mes Turqisë dhe Rusisë.

Moska iu përgjigj rrëzimit të avionit me kufizime tregtare, përfshirë këtu ngrirjen e punimeve për ndërtimin e një tubacioni të transportit të gazit rus në Europë nëpërmjet Turqisë, dhe këshilloi rusët të shmangin pushimet ne pikat turistike turke.

Top Channel