Pasi britanikët votuan pro largimit nga BE dhe panë monedhën e tyre të zhvlerësohet ndjeshëm në krahasim me euron, operatorët turistikë në Greqi shprehen të shqetësuar për pasojat në këtë sektor, që cilësohet motori lëvizes së ekonomisë greke.

Sipas të dhënave nga Banka e Greqisë, britanikët janë të dytët si turistë sa u takon shifrave pasi vetëm ne 2015 kanë mbërritur mbi 2,4 milionë , 14,7 përqind më shumë se një vit më parë dhe sollën rreth 2.1 mld euro të ardhura.

“Thembra e Akilit” konsiderohen rreth 500.000 turistë britanikë, të cilët si çdo vit bëjnë prenotime në momentet e fundit dhe ky numër  ndoshta do të reduktohet ndjeshëm për arsye të zhvlerësimit të paundit britanik.

Greqia që ka thyer në 2015 çdo rekord për numrin e vizitorëve në vend, pret këtë vit rreth 30 milionë turistë, por fenomeni Brexit ka krijuar në ditët e para pas referendumit në Mbretërinë e Bashkuar një  mpirje të ekonomisë globale, e cila nuk mund të jetë pa pasoja për çdo vend që shpreson tek turizmi.

Hotelierët grekë nuk përjashtojnë që operatorët e mëdhenj turistikë, të cilet sjellin qindra-mijëra vetë, të kërkojnë të hyjnë në klauzola specifike në kontrata duke kërkuar një kurs fiks për këmbimin e paundit me euron në mënyrë që numri i turistëve të mbetet konstant.

Probleme mund të ketë edhe me ata turistë britanikë që kanë paguar vetëm një paradhënie të vogël, pasi mund të anulojnë pushimet në Greqi nëse luhatjet e paundit vazhdojnë.

Nëse do të ketë një reduktim të numrit të turistëve kjo do të ndikojë edhe tek emigrantët shqiptarë që jetojnë në Greqi, pasi vlerësohet se në këtë sektor mbi 80 përqind e të punësuarve janë shqiptarë, ndërsa dhjetra emigrantë të tjerë kanë biznese të vogla apo punojnë në mirëmbajtjen e hoteleve, restoranteve dhe dhomave, sidomos në ishujt grekë.

Top Channel