De Biasi: U larguam me kokën lartë nga Euro 2016

28/06/2016 00:00

Pavarësisht eliminimit të Shqipërisë nga Europiani që në fazën e grupeve, mediat italiane vazhdojnë të shkruajnë ende për kuqezinjtë, e mbi të gjitha për trajnerin De Biasi.

Ai është njeriu që i dhuroi ëndrrën shqiptarëve duke i kualifikuar në Europian, shkruan gazeta e Modenas në Itali.  “Ai jo vetëm që arriti kualifikimin historik por u largua me kokën lartë pavarësisht eliminimit në fazën e grupeve. Gjëja më e rëndësishme është mirënjohja e një populli pavarësisht rezultatit final”, shton Gazeta e Modenas që sjell një intervistë të gjatë të trajnerit italian.

Shqipëria u largua me kokën lartë nga Europiani, ka thënë De Biasi, duke përmendur që kuqezinjtë morën një fitore, por zhvilluan edhe dy ndeshje mjaft të mira, ku fati nuk ishte me ne. Nuk anashkalon as tifozërinë e shumtë që mbështeti kombëtaren në tre ndeshjet e Europianit.

“Ndaj Francës në Marsejë në një stadium me 64 mijë vende, 20 mijë ishin mbështetës të Shqipërisë, ndërsa ndaj Rumanisë kishte 30 mijë tifozë përballë 9 mijë rumunëve. Një tifozeri e jashtëzakonshme si ajo që na priti pas rikthimit në shtëpi”, thekson De Biasi.

Aktualisht De Biasi po shijon ditët e pushimit pas evenimentit kontinental ku presioni ishte i madh për një kombëtare të vogël.

Top Channel