SHBA, ligji kundër abortit rrëzohet nga Gjykata e Lartë

28/06/2016 00:00

Gjykata e Lartë amerikane rrëzoi një prej ligjeve më të ashpra kundër abortit në Teksas, i cili konsiderohej si jokushtetues nga kundërshtarët e tij pasi kufizon të drejtën e grave për të zgjedhur ndërprerjen e shtatzënisë.

Kjo është hera e parë që prej 2007-s që Gjykata e Lartë amerikane prononcohet mbi abortin dhe vendimi për të rrëzuar ligjin e sponsorizuar nga ish-guvernatori republikan Rick Perry, përfaqëson një fitore të madhe për lëvizjen që lufton për të drejtën e abortit.

Ligji impononte norma kufizuese në klinikat ku mund të kryhet ndërprerja e shtatzënisë duke vendosur standarde më të ashpra në krahasim me të kaluarën. Republikanët pretendojnë se synimi i tij ishte të mbronte gratë, ndërsa kundërshtarët thonë se masat limitojnë aksesin ndaj aborteve.

Ligji i rrëzuar nga 5 prej 8 gjyqtarëve ka sjellë mbylljen e shumë klinikave që nuk përmbushnin kriteret e reja, duke e çuar numrin e tyre nga 40 në 10. Kandidatja demokrate në garën për Shtëpinë e Bardhë, Hillary Clinton, vlerësoi vendimin e gjykatësve, duke e cilësuar këtë si një fitore për gratë në Teksas dhe në të gjithë Amerikën.

“Lufta nuk ka përfunduar. Presidenti i ardhshëm duhet të mbrojë shëndetin e grave. Ato nuk do të ndëshkohen për ushtrimin e të drejtave të tyre themelore”, shkroi ajo në llogarinë e saj në “Twiter”.

Top Channel