Bylykbashi përshëndet letrën e kongresmenëve amerikanë për ‘drejtësinë’

27/06/2016 00:00

Tre kongresmenë amerikanë, Dana Rohrabacher, David Jolly dhe Rober Aderholt i janë drejtuar Sekretarit të Shtetit, John Kerry me një letër për reformën në drejtësi në Shqipëri.

Në letër, kongresmenët vënë theksin tek rëndësia që ka zbatimi i plotë i rekomandimit 88 dhe letra është përshëndetur nga Partia Demokratike përmes nënkryetarit të Komisionit për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi.

“Letra që kongresmenët amerikanë, Kryetari i Komitetit për Europën në Komisionin e Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan Dana Rohrabacher dhe David Jolly e Robert Aderholt i kanë drejtuar Sekretarit Kerry, lidhur me reformën në drejtësi është një kontribut i çmuar për t’ju dhënë shqiptarëve nje drejtësi të pavarur sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe që garanton moskapjen politike’, thotë Bylykbashi.

“Kongresmenët amerikanë duke iu referuar Komisionit të Venecias kanë sugjeruar si zgjidhje të çështjes së vetme ku palët nuk bien dakort, adoptimin dhe zbatimin e rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias, duke e konsideruar këtë si garanci për një reformë të suskseshme dhe te gjithpranuar në drejtësi”, shton ai.

“Urojmë dhe shpresojmë që ky angazhim i kongresmenëve amerikanë të shërbejë si një shtysë për mazhorancen për të zhbllokuar reformën në drejtësi, duke i dhënë zgjidhjen e propozuar nga Komisioni i Venecias në rekomandimin 88. Uroj që Edi Rama të heqë dorë nga përpjekja e tij për të kontrolluar gjyqesorin dhe ti hapë rrugë konsensusit për reformën në drejtësi si rruga e vetme per tju dhënë qytetareve drejtësine qe duan, drejtësinë që nuk mbron por ndëshkon krimin dhe korrupsionin”, mbyll reagimin e tij deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi.

Top Channel