Lu “kryqëzon” Bashën, e fajëson për reformën; u bën thirrje deputetëve të PD ta votojnë

27/06/2016 00:00

Asnjë ambasador më parë nuk e kishte thënë kaq hapur sa ambasadori amerikan. Ta përjetosh nga afër politikën shqiptare, është pjesa më e keqe e punës së një ambasadori.

Ai është përfshire intensivisht prej gati një viti për miratimin me konsensus të reformës në drejtësi. Por, ende nuk ia ka dalë. Dhe siç shkruan ai, çdo fëmijë e di, se kur palët nuk bien dakord për një çështje, siç është ajo e vendeve të rezervuara, duhet të ulen e të gjejnë kompromis.  Dhe në këtë pikë, Donald Lu ka një emër për të dëshmuar se kush nuk e ka pranuar kompromisin.

“Është e vërtetë që Z. Rama dhe Z. Basha u përpoqën ta bënin këtë më 6 qershor. Ata dështuan në arritjen e një marrëveshjeje. Tre herë që prej 4 majit, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë ofruar propozime të arsyeshme kompromisi. Mazhoranca i ka pranuar këto propozime. Z. Basha ka gjetur gjithmonë diçka për të refuzuar”, shkruan Donald Lu.

Kur ambasadori amerikan mbajti këtë qëndrim pak javë më parë, demokratët publikuan email-e të ekspertëve amerikanë për të treguar se vendet e rezervuara janë një propozim amerikan dhe se opozita nuk pranon asgjë me pak nga ajo që propozon Venecia.

“Mendoj se populli shqiptar është i lodhur që politikanët e tij bëjnë lojëra. Nëse opozita dhe qeveria duan të realizojnë një marrëveshje, ne u kemi ofruar tre zgjidhje kompromisi që janë tërësisht në përputhje me paragrafët 61 dhe 88 të Opinionit Përfundimtar të Komisionit të Venecias. Politikanët nuk është e thënë të marrin idetë dhe sugjerimet tona, por ata duhet ta gjejnë kompromisin”.

Pas kaq kohësh si ndërmjetësues mes palëve, ambasadori amerikan pranon se ekziston edhe një opsion tjetër përse nuk arrihet një marrëveshje politike. Dhe gjen rastin të përsërisë thirrjen për secilin deputet.

“Nga ana tjetër, ndoshta udhëheqësit e partive politike të Shqipërisë kanë frikë nga kjo reformë dhe nuk janë të gatshëm të bëjnë asnjë marrëveshje. Në këtë rast, u bëj thirrje anëtarëve individualë të Kuvendit që të marrin përgjegjësinë për të votuar në favor të kësaj reforme. Votimi është planifikuar për datën 21 korrik. Është koha për të vendosur”.

Ambasadori amerikan e ka mbrojtur gjithmonë reformën në drejtësi si një instrument për të ardhmen e vendit. Dhe për këtë arsye u bën thirrje të rinjve shqiptarë të jenë aktive për t’u bërë të ditur politikanëve se rinia e do këtë reformë.

“Shkruajini një letër. Bëni postime në median sociale. Flisni me miqtë tuaj. Vota e 21 korrikut do të përcaktojë drejtimin e vendit. Bëjuni me dije udhëheqësve tuaj se doni të rriteni në një vend të lirë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Thuajuni atyre se doni që Shqipëria të jetë një demokraci ku zërat tuaj do dëgjohen dhe ku ju do të trajtoheni në mënyrë të drejtë dhe me respekt”, mbyllet letra e ambasadorit amerikan.

Top Channel