Linja energjitike e jugut, OSHEE: Ndërhyrjet përfundojnë më 30 qershor

27/06/2016 00:00

Pas shqetësimit të operatorëve turistikë mbi problemet me furnizimin me energji elektrike të zonave bregdetare, OSHEE thotë se ka përqëndruar investimet në nyjën më kritike, atë të Himarës.

Masa më energjente është nënstacioni portabël që do të përmirësojë furnizimin me energji, që aktualisht kryhet nga nënstacioni i vjetër, i ndërtuar që në vitet ‘70.

“Ky nënstacion portabël do të furnizohet me një linjë 110-kilovoltëshe tepër të garantuar, duke furnizuar nënstacionin e vjetër, por dhe zonën e Dhërmiut deri në Palasë. Aktualisht është në fazën e energjizimit dhe më 30 qershor merr ngarkesën e plotë”, ka deklaruar Petraq Lika, drejtor i divizionit të OSHEE-së.

Një tjetër kërcënim serioz për furnizimin me energji elektrike në zonat turistike por jo vetëm, OSHEE thotë se janë rreth 12.500 kabina të ndërtuara dhe administruara nga privatë, që nuk kryejnë asnjë proces mirëmbajtje nga pika e lidhjes deri në objekt.

“Duhet të merren masa të menjëhershme për mirëmbajtjen e rrjetit, për ta prurë në raport me vetë furnizimin, me burimin e furnizimit”, ka nënvijëzuar Lika.

Për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare këtij problemi, OSHEE ka kërkuar që në marrëveshje me operatorët privatë të ofrojë shërbimin e mirëmbajtjes për këto kabina përkundrejt një tarife që do të përcaktohet nga ERE.

Top Channel