Kosovë, KIPRED: Shteti ka dështuar në parandalimin e islamit radikal

27/06/2016 00:00

Institucionet e Kosovës dhe partitë politike kanë dështuar të reagojnë në shenjat e rritjes që merren me masa për parandalimin e radikalizmit islam, edhe pse e kanë pasur obligim ligjor.

Kështu u tha sot gjatë prezantimit të raportit me temë “Çfarë ndodhi me shqiptarët e Kosovës: Roli i religjionit në identitetin etnik në periudhën e shtet- ndërtimit” nga KIPRED.

Hulumtuesi në KIPRED, Agon Demjaha, theksoi sekufijtë poroz të Kosovës dhe nevoja për ndihma të mëdha humanitare mundësuan që ndër të tjera në Kosovë të futen edhe një varg organizatash islamike fetare të cilat nën petkun e ndihmave humanitare realisht filluan të përhapin një islam radikal të vehabizmit, i cili ishte i huaj për shqiptarët e Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i KIPRED, Lulëzim Peci tha se pas pavarësisë dalëngadalë filloi të shfaqet një gjuhë e urrejtjes e cila në një farë mënyrë ka nxitur urrejtje ndaj pjesëtare të tjerë fetarë.

Ai tha se ligji për bashkësitë fetare duhet të miratohet sa më shpejt që të jetë e mundur, i cili duhet të përcakton vendin e këtyre bashkësive në rendin sekular kushtetues të Kosovës, si dhe llogaridhënien e tyre financiare.

Institucionet qeveritare dhe udhëheqësit politik duhet që të prezantojnë një diskurs të përbashkët publik i cili do të promovonte identitetin sekular dhe bashkëjetesën fetare në mesin e shqiptarëve të Kosovës.

Ndryshe, qëllimi parësor i këtij hulumtimi sipas organizatorëve ka qenë të analizohet ndikimi i religjioneve tradicionale, islamit dhe krishterimit katolik në identitetin politik-shoqëror të shqiptarëve të Kosovës me theks të veçantë në periudhën pas shpallës së Pavarësisë.

Top Channel