Hoti: Nuk do të ketë rritje të taksave e as të akcizës

27/06/2016 00:00

Hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) ka bërë që doganat e Kosovës të sigurojnë 5 milionë euro më pak të ardhura.

Këto humbje, sipas drejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Lulzim Rafuna, nuk kanë ndikuar në të ardhurat e përgjithshme. Sipas tij, deri tani doganat kanë realizuar 18 për qind më shumë të ardhura sesa në të njëjtën periudhën të vitit të kaluar duke tejkaluar projeksionet buxhetore me 8 për qind.

“Tani po bëhen tre muaj dhe kemi filluar t’i mbledhim rezultatet e para të ndikimit të MSA-së, si në biznes, ashtu dhe në të ardhura. Sa i përket impaktit material në të ardhurat që ka pasur MSA-ja në tatimin doganor, që nga 1 prilli deri në datën 24 qershor, impakti është 4 milionë e 955 mijë euro më pak nga tatimi doganor për mallrat që janë importuar drejt Bashkimit Europian. Çfarë do të thotë që në buxhetin tonë, nga të ardhurat e mbledhura nga dogana janë më pak se 5 milionë euro për tre muaj nga MSA-ja. Sa i përket të ardhurave deri më sot, Dogana e Kosovës ka siguruar 457 milionë e 240 mijë euro, që është 18 për qind më shumë se vitin e kaluar”, tha Rafuna.

Ai po ashtu ka treguar se përveç MSA-së, në të ardhurat ka ndikuar edhe vendimi i Qeverisë për lirimin e lëndës së parë dhe makinerive. Çfarë do të thotë që janë importuar mallra në vlerë prej 60 milionë euro me TVSH më të lirë. Ndërsa duket që ky hendek i këtyre impakteve është mbuluar nga detyrimet e vlerësimit të mallrave.

Ndërsa ministri i Financave, Avdullah Hoti ka thënë se nuk ka shqetësim për këto humbje dhe se nuk do të ketë ndryshime në politikën fiskale.

“Unë e kam bërë të qartë, ne nuk kemi nevojë të rishikojmë asnjë taksë ose akcizë si rezultat i zbatimit të MSA-së, sepse të ardhurat po shkojnë shumë mirë. Pavarësisht se kemi pasur lehtësira prej 15 milionë eurosh si rezultat i MSA-së dhe i politikave fiskale, të ardhurat janë 7 milionë euro më shumë. Nuk kemi asnjë arsye të shqetësohemi që të ndërmarrim masa për kompensimin e këtyre humbjeve që kanë ardhur si rezultat i MSA dhe politikave fiskale”, tha Hoti.

Këto u bënë të ditura sot në konferencën e organizuar nga doganat, ku janë prezantuar të dhënat e tremujorit të parë të implementimit të MSA-së.

Top Channel