“Brexit”, londinezët ende të përçarë mbi atë që i pret

27/06/2016 00:00

Ndasitë mes londinezëve pas referendumit historik të largimit të Britanisë nga Bashkimi Europian janë të dukshme, pas vendimit që thellon krizën politike të vendit e i lë zyrtarët botërore dhe tregjet financiare të zhytur në pështjellim.

Numri një i fushatës së “Brexit”-it dhe favoriti për t’u kthyer në kryeministrin e ardhshëm të Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson shkroi në një rubrike të “Daily Telegraph” se Anglia do të vazhdojë të ketë qasje në tregun e përbashkët europian.

Britanikët, – thotë ai në artikull, – duhet të jenë krenarë dhe pozitivë, pasi pasojat negative të shkëputjes do të kapërcehen shpejt. Të tilla komente, në kryeqytetin britanik disa i mirëpriten, të tjerë jo.

“Na pret një rrugë e gjatë përpara. Është vërtet e gjatë, por të paktën e dime se jemi në drejtimin e duhur. E gjithë kjo ideja e bllokut është zbehur me kalimin e viteve. Mund të dukej e mirë në fillim, sidomos për tregtinë. Në fund shkoi përtej marrëveshjeve tregtare e marrëdhënieve të zakonshme dhe arriti një pikë, ku gjithçka ishte shumë e tepruar”, tha Kirsten.

“Nuk jam dakort me Johnsonin. Nuk kemi përse të ndihemi krenarë. Mbase ka ndonjë gjë pozitive në të gjithë këtë situatë, e ndoshta gjërat marrin për mirë më vonë, por ndiej se brezit tonë i është rrëmbyer e ardhmja”, tha Jeremy Hyme.

Procesi dyvjeçar i shkëputjes do të nisë në momentin kur kryeministri do t’i referohet artikullit 50 të Traktatit të Lisbonës. David Cameron do të largohet nga posti në muajin tetor dhe fillimin e këtij procesi do t’ia lërë në dorë pasardhësit të tij.

Top Channel