Braktisja e Argjentinës nga Messi, tifozët: Maradona s’do të na linte kurrë në baltë

27/06/2016 00:00

Argjentina ka humbur finalen e tretë radhazi, por më shumë sesa kaq ka humbur tashmë edhe Leo Messin në moshën 29-vjeçare, i cili i dha “lamtumirën” kombëtares. “Seleccion”-i albicelest ka mbetur prej 23 vitesh pa një trofe, teksa këtë herë është mposhtur me penallti nga Kili në aktin e fundit të Kupës së Amerikës, në edicionin special të 100-vjetorit, me yllin e Barcelonës që humbi 11-metërshin e tij.

“Vendimin e kam marrë tashmë. Kam bërë gjithçka mundesha për të fituar diçka me Argjentinën, por nuk ia dola dot mbanë. Eksperienca ime me Seleccionin merr fund këtu”, ka deklaruar kapiteni i skuadrës pas ndeshjes, sigurisht i përlotur për gabimin që bëri nga penalltia, pas së cilës i mbajti lotët për t’i lëshuar ato vetëm pak momente më pas.

E ndoshta një të drejtë e ka, pasi u bënë 5 turne madhorë në të cilët Messi nuk ka mundur të dalë kokëlartë: Botërori i 2010-s, Kupa e Amerikës së 2011-s, Botërori i 2014-s, Kupa e Amerikës së 2015-s dhe edicioni i këtij viti. Edhe pse ylli argjentinas numëron 11 suksese me kombëtaren, ato janë arritur që të gjitha në nivele të ulëta apo aspak të përfillshme për reputacionin e një lojtari që pretendon të futet në historinë e futbollit botëror me 5 “Topat e Artë” të fituar: sukseset janë arritur gjatë Botërorit U20 të vitit 2005 dhe medalja e artë në Olimpiket e U23 në vitin 2008.

Megjithatë, një veprim i tillë nga lojtari prej të cilit presin më shumë ka irrituar tifozët argjentinas. Në rrjetet sociale, këta të fundit ia shtojnë edhe më shumë dhimbjen Messit.

“Nuk ka më asnjë dyshim për dallimin mes tij dhe Diego Armando Maradonës. Maradona nuk do ta braktiste kurrë kombëtaren, ai mbetet ende lojtari më i madh që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për skuadrën, e që nuk ka për t’u përsëritur ndonjëherë në fushat e futbollit”.

Messi sulmohet gjithashtu edhe për shkak se preferon të luajë më shumë me Barcelonën. “Është mirë të luash me ‘blaugranat’, apo jo?!” pyesin me ironi tifozët e shokuar nga tërheqja e Leos. Ka edhe nga ata që nuk komentojnë hiç këtë largim, por mendojnë të flasin për trajnerin e ardhshëm të Argjentinës, e në këtë aspekt, pretendenti mbetet Diego Simeone.

Top Channel