Ndryshimet kushtetuese, të majtë e të djathtë në nismën politike

27/06/2016 00:00

Deputetja socialiste Mimoza Hafizi paraqiti sot një listë me firmat 10 e deputetëve të majtë e të djathtë që mbështesin një nismë ligjore për ndryshimin e Kushtetutës. Deputetët kërkojnë zgjedhjen e presidentit nga populli.

“Një president i zgjedhur nga populli dhe jo nga Kuvendi do të jetë figurë e pavarur nga politika e ditës dhe përfaqësues i unitetit të popullit në ushtrimin e detyrave të tij të rëndësishme kushtetuese”, thuhet në relacionin e kësaj nisme.

Ndryshimi i dytë ka të bëjë me dhënien e së drejtës popullit për të ndryshuar Kushtetutën, aktualisht ndryshimi bëhet vetëm nëse janë 94 vota në Kuvend.

Në relacion thuhet se, sot diskutohet fort për reformën në drejtësi, por populli shiptar e ka të pamundur të marrë pjesë në këtë proces.

“Me ndryshimin që ne propozojmë, popullit shqiptar i lind e drejta që të vendosë vetë për reformën në drejtësi dhe për reforma të tjera të rëndësishme”, thuhet në relacion.

Ky amendament është përgatitur nga deputetët Arta Dade, Mimoza Hafizi, Ben Blushi dhe është mbështetur nga deputetet Agron Duka, Dashamir Shehi, Eduard Selami, Luljeta Arapi, Nard Ndoka, Tahir Muhedini dhe Vangjel Dule.

Top Channel