Kapet në gjumë kreu i Ndrangheta, Ernesto Fazzalari, kërkohej prej 20 vitesh

26/06/2016 00:00

Njëri prej eksponentëve më të kërkuar të mafias në Itali ka përfunduar në pranga pas një arratie 20-vjeçare. Arrestimi në fakt nuk ishte nga më spektakolaret e mundshëm: Forcat e rendit e gjetën Ernesto Fazzalarin në gjumë në shtratin e tij.

Ndalimi i 46-vjeçarit të dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasje, u bë në rajonin jugor të Kalabrisë. Policia e përshkroi Fazzalarin si figurë kyçe drejtuese të Ndrangheta-s, njëri prej klaneve mafioze më të fuqishme të Italisë.

Besohet se grupi qëndron pas pjesës më të madhe të tregtisë së kokainës në Europë. Fazzalari nuk i rezistoi arrestimit në shtrat dhe ai ishte bashkë me një femër.

Qeveria italiane nxitoi ta përshëndeste kapjen e 46-vjeçarit të arratisur që në vitin 1996. Kryeministri Matteo Renzi shkroi në Twitter: “Faleminderit forcave të rendit dhe gjykatësve. Rroftë Italia!”.

Fazzalari ishte mafiozi i dytë më i rëndësishëm në arrati që kërkohej nga drejtësia pas Matteo Messina Denaro, që dyshohet si lideri i mafias siciliane, Cosa Nostra.

Top Channel