Aksidentohet një familje, plagosen 6 persona. Humb jetën në spital 12-vjeçari

26/06/2016 00:00

Humbja e kontrollit dhe rrëshqitja në rrugë e një mjeti ka shkaktuar një aksident të rëndë, ku një fëmijë 12-vjeçar nuk mundi të mbijetojë, ndërsa 6 pjesëtarë të familjes së tij mbetën të plagosur. Aksidenti i rëndë ndodhi pasditen e së dielës në rrugën Sarandë-Gjirokastër pranë vendit të quajtur Qafa e Muzinës.

Feruz Lleshi drejtonte automjetin ku ndodhej bashkëshortja 39-vjeçare, 4 fëmijët e tij, 12, 10, 6 dhe 4-vjeç si dhe një vajzë e rritur 25-vjeçare. Ata po udhëtonin drejt Greqisë kur mjeti tip Golf goditi një autobus që transportonte 30 studentë nga Fieri.

Fëmija 12-vjeçar ndërroi jetë disa orë më pas në Spitalin rajonal të Gjirokastrës , ndërsa dëshmitarët tregojnë aksidentin. “Mjeti u përplas me autobusin, pastaj çfarë pamë ishte katastrofë”, thotë burrë.

Ndihma e parë të lënduarve iu ka ardhur nga një mjeke polake e cila me ndihmën e disa udhëtarëve të tjerë ka nxjerrë dhe ka mjekur të plagosurit deri në pritje të ambulancës. Asnjë prej 30 studentëve nuk ka mbetur i lënduar.

“Ne po ecnim shumë ngadalë por makina ndërkohë rrëshqiti dhe u përplas me autobusin”, tregon një student i cili gjendej në autobus në momentin e aksidentit.

Policia nisi hetimin dhe gjeti që mjeti i aksidentuar ishte ndalur ne marshin e tretë, ndërsa drejtuesi i autobusit rezultoi negativ pas testit të alkoolit. Ndërkohë 6 të plagosurit u transportuan në Tiranë për një ndihmë më të specializuar.

Top Channel