Kosovë, bizneset i shmangen tatimit. Lëshojnë kuponë jofiskalë

26/06/2016 00:00

Shumë biznese në Kosovë po i shmangen tatimit, duke lëshuar kuponë të padeklaruara në autoritetet fiskale. Edhe Administrata Tatimore, brenda dy muajve të fundit ka evidentuar 335 biznese që nuk kanë instaluar kasat fiskale, si dhe kanë hasur në 638 të tilla që kanë funksionuar, mirëpo të dhënat e tyre nuk janë pasqyruar, bën të ditur “KosovaPress”.

Hulumtuesi në Institutin për Studime të Avancuara “GAP”, Berat Thaçi deklaroi se informaliteti ose kuponët jofiskalë krijojnë pabarazi mes bizneseve dhe ndikojnë në uljen e të ardhurave buxhetore të shtetit. Sipas Thaçit, lufta ndaj informalitetit do të rriste mirëqenien e qytetarëve dhe do të përmirësonte kushtet e bizneseve në përgjithësi.

Ndërkohë, në sezonin e verës kur mbahen festa të ndryshme nëpër restorante dhe hotele, në shumicën e rasteve nuk lëshohen kuponët fiskalë, edhe pse kanë qarkullim të madh nga të ardhurit.

Zëdhënësja e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Valentina Bytyqi theksoi për “KosovaPress” se administrata ka nisur nga muaj prill me aktivitetet shtesë gjatë orarit dhe pas orarit të punës, për të verifikuar procesin e fiskalizimit, ku gjatë tij thelbësore ka qenë kontrollimi sesa është bërë instalimi i pajisjeve elektronike fiskale, sa po lëshohen kuponët fiskalë nga bizneset, ndërsa është bërë edhe konfiskimi i kasave jofiskale.

Zyrtarë të ATK-së pohuan se në vazhdimësi do të jenë në terren, derisa të ketë një parametër matës se procesi i fiskalizimit është duke shkuar mbarë. Deri më tani janë 31 mijë e 545 pajisje fiskale të instaluara në 24 mijë e 557 biznese. Ditë më parë edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti ka konstatuar se shkalla e informalitetit në vend është rreth 35 përqind.

Top Channel