Rruga e projektuar për vdekje në Kashar

26/06/2016 00:00

Rruga “Sokrat Miho” është një rrugë e re në Tiranë, në një zonë në zhvillim, e cila të çon në Mëzez. Më shumë se në funksion të lëvizjes, ajo është tepër e rrezikshme si për drejtuesit e automjeteve, ashtu dhe për këmbësorët, sa duket se është projektuar për të qenë burim aksidenti.

“Konstatojmë që kjo është një rrugë me parametrat minimale të gjerësisë së saj. Nuk ka trotuarë për kalimin e këmbësorëve, por menjëherë sa del nga dera e shtëpisë përballesh me rrugën. Të tillë rrugë nuk ka në asnjë vend të botës. Në këtë këndvështrim, kërkohet plotësimi i sinjalistikës vertikale se cilat mjete mund të kalojnë dhe njëkohësisht një rikompozim i elementëve, pasi ka hapësira”, tha Artur Sulçe, ekspert i sigurisë rrugore.

Kjo rrugë është ndërtuar para ndarjes së re territoriale, kur zona administrohej nga Komuna e Kasharit. Tanimë i ka kaluar Bashkisë së Tiranës, e cila thotë se është gabuar rëndë në projektim dhe se do të ndërhyjnë së shpejti.

“Nga pikëpamja e lëvizjes dhe sigurisë rrugore është projektuar në mënyrë të gabuar. Ne jemi duke bërë një audit të plotë dhe po vlerësojmë sesi mund të ndërhyjmë. Mund të ketë një ndërhyrje të parë, që lidhet edhe me futjen e rrjetit të transportit publik për ta bërë të mundur lëvizshmërinë aty, pastaj do të vlerësojmë edhe infrastrukturën nëntokësore për të parë një ndërhyrje afatgjatë për ta kthyer këtë rrugë në standardet e plota të sigurisë rrugore”, tha Enton Punavia, drejtor i Transporteve në bashki.

Si në shumë rrugë të Tiranës, edhe këtu është ndjekur e njëjta logjikë. Më parë janë ndërtuar shtëpitë e pallatet, e më pas është ndërtuar rruga.

Top Channel