Tsipras uron aleatin e tij spanjoll: Fitoni e së bashku të ndryshojmë Europën

26/06/2016 00:00

Kryeministri grek Alexis Tsipras, në fjalimin e tij para Këshillit Qendor të partisë së tij “Syriza”, i ka uruar fat të mbarë në zgjedhjet e sotme ripërsëritëse të Spanjës, kreut të partisë së majtë “Podemos”, Pablos Iglesias, duke kujtuar edhe çastet që ai u ndodh pranë tij në zgjedhjet e shtatorit të kaluar në Greqi.

“Pata rastin dje të flas në telefon me Pablon (Iglesias) e t’i uroj atij fat në zgjedhjet e së dielës. I kujtova se shtatorin e kaluar, në tubimin tonë parazgjedhor në sheshin ‘Sintagma’, ai na tha: Mbahuni! Mbahuni fort sepse ne po vijmë. Ndërsa unë i thashë: Pablo, ne u mbajtëm, qëndruam në këmbë dhe tani është radha juaj. Po ju presim për të bashkuar fuqitë tona dhe për të ndryshuar Europën, pasi ne mund ta ndryshojmë Europën”, tha kryeministri grek Alexis Tsipras.

Duke iu referuar referendumit në Britaninë e Madhe, Tsipras ka theksuar se nuk ka asnjë faj populli britanik, shumica e të cilit votoi për të lënë BE-në, por vet udhëheqësit e unionit dhe politikat e tyre.

Qeveria greke kërkon dhe shpreson një rezultat sa më të mirë të aleatëve të saj të “Podemos” në zgjedhjet e Spanjës, pasi edhe Iglesias e përkrahësit e tij janë shprehur kundër politikave shtrënguese të BE-së, të cilat janë përgjegjëse për izolimin social të shtresave të varfra dhe fuqizimin e euroskepticizmit dhe së djathtës ekstreme në shumë shtete të BE-së.

Top Channel