Peticioni në Britani, mbi dy mln persona kërkojnë referendum të dytë

26/06/2016 00:00

Numri i atyre që kërkojnë një referendum të dytë në Britani sa vjen e shtohet, por a mund të ndodhë vërtet një gjë e tillë, dhe nëse po si do të funksiononte?

Mëngjesin e së premtes u njoftua se Britania do të shkëputej nga Bashkimi Europian, pasi numri i atyre që votuan pro kampit për largim ishte 4% më i lartë sesa ai i mbështetësve të qëndrimit. 48% e britanikëve ama, që do të thotë më shumë se 16 milionë vetë, ishin për vijimësinë.

Zemërata që shpërtheu në kampin “pro” çoi në krijimin e një peticioni të firmosur nga mbi dy milionë vetë për përsëritje të votimit. Këtë herë kërkohet që qeveria të vendosë një rregull të ri: nëse vota e secilit kamp është më pak se 60%, bazuar në një nivel pjesëmarrjeje prej më pak se 75 për qind, atëherë duhet të mbahet një referendum i ri.

A mund të ndodhë kjo? Përgjigjja e shkurtër, – sipas “the Independent”, – është “Po”. Referendume të dyta janë mbajtur edhe në vende të tjera të botës dhe kanë prodhuar, përgjithësisht, rezultate të ndryshme nga i pari.

Vet udhëheqësi i UKIP-it, Nigel Farage tha për “Daily Mirror” në muajin maj se, në rastin e një rezultati 52-48 do të kërkonte referendum të dytë. Është befasuese sesi arriti  t’i parashikonte Farage shifrat me një saktësi të tillë, vetëm se në rastin e tij kishte nënkuptuar një fitore të kampit pro në këtë nivel, çfarë do ta kishte shtyrë të pretendonte rivotim.

Një referendum i dytë, në fakt nuk është i pamundur, por që të mbahet, rrethanat duhet të kenë ndryshuar disi. Sipas juristit Jolyon Maugham, dy janë rrugët që do të mund të ndiqeshin në këtë rast: e para, të zhvillohen zgjedhje të përgjithshme e të mbahen sa më shpejt. Kjo do të kërkonte kalimin e një mocioni në Dhomën e Përfaqësuesve me dy të tretat e votave. Rruga e dytë, sipas tij, do të ishte një strategji “thuaj jo për një po më të mirë”, që do të thotë se Britania mund ta përdorë “Jo-në” e saj për ta joshur BE-në të ofrojë një marrëveshje më të mirë në rast se vendi do të vendoste qëndrimin.

Top Channel