Turqia kritikon Papën: Fjala “gjenocid”, mentalitet kryqëzatash

26/06/2016 00:00

Përdorimi i fjalës “gjenocid” nga Papa Françesku në përshkrimin e masakrës së armenëve të vitit 1915, ka shkaktuar reagimin e ashpër të Turqisë, që tha se ky përkufizim i kreut të Kishës Katolike dëshmon “një mentalitet kryqëzatash”.

Komentet e Atit të Shenjtë, sipas zv.kryeministrit turk Nurettin Canikli nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. Armenia e shumë historianë pas saj flasin për gati 1.5 milionë të krishterë armenë të vrarë nga forcat osmane një shekull më parë.

Turqia vet nuk e pranon këtë shifër e mohon që vdekjet e asaj kohe përbëjnë gjenocid. Argumenti pas të cilit kapet fort pala turke është se, jetët e humbura kanë qenë pjesë e një konflikti civil të nxitur prej Luftës së Parë Botërore.

Ashpërsia e mosmarrëveshjeve mbi këtë temë është reflektuar edhe mbi marrëdhëniet armeno-turke, e në spiralen e hasmërisë janë përfshirë edhe vende të tjera si Gjermania, Parlamenti i së cilës votoi tani vonë për njohjen e masakrës si gjenocid.

Papa Françesku përdori të premten në Jerevan fjalët armene “Metz Yeghern” (e keqja e madhe), e shtoi në tekstin e tij të parapërgatitur edhe komentin “gjenocid” për t’iu referuar asaj që ai e quajti “e para në serinë e katastrofave të dhimbshme të shekullit të kaluar”.

Top Channel