Në kohën kur mazhoranca me 86 mandate është duke kryer  kalkulimet matematike për të arritur numrin magjik 94 për të miratuar Reformën në Drejtësi, e cila deri më tani ka kundërshtimin e palëkundur të opozitës, një zë brenda mazhorancës duket se ka dalë kundër saj, duke komplikuar më shumë ekuacionin matematikor.

Është deputeti i LSI-së Përparim Spahiu, ai i cili me anë të dy postimeve në Twitter ka lënë të kuptohet se nuk mbështet përfshirjen e ndërkombëtarëve në procesin e monitorimit.

“E kuptoj dhe jam dakord që sovranitetin e vendit tonë të përbashkët duhet ta ndajmë me NATO-n, me KE-në, shpresoj dhe me BE-në! Por nuk jam gati të votoj ndarjen e sovranitetit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit! Çfarë përfaqësojnë këta?!!”

Por qëndrimi i deputetit të LSI-së ka ngjallur menjëherë reagime në radhët e mazhorancës, si përkthim i një vote më pak për Reformën në Drejtësi. Nga ana e saj, Lëvizja Socialiste për Integrim është siguruar që të jetë e qartë se këto deklarata të deputetit Spahiu janë “qëndrime personale dhe jo të LSI-së”.

Madje, burime nga kjo forcë politike kanë bërë të ditur se nuk do të mjaftohen me kaq, por gjatë javës që vjen do të mblidhet grupi parlamentar i LSI-së për të shqyrtuar deri përjashtimin e deputetit të Bulqizës nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Një vendim ky që mund të sjellë një tjetër “dhimbje koke” për mazhorancën, pasi në kohën kur i duhen minimumi edhe 8 vota, një deputet i saj rrezikon t’i kthehet kundër.

Top Channel